

Tenerife – Një oficer 62-vjeçar i Guardia Civil ka humbur jetën në krye të detyrës gjatë një operacioni evakuimi pasagjerësh në portin e Granadilla de Abona, në jug të ishullit.
Sipas njoftimeve zyrtare të sindikatës Jucil, oficeri ndodhej në postin e komandës operative gjatë zbritjes dhe riatdhesimit të pasagjerëve nga anija turistike “Hondius”, e cila ishte përfshirë në një situatë emergjente pas një shpërthimi të dyshuar të hantavirusit.
Gjatë operacionit, oficeri pësoi një atak në zemër. Pavarësisht përpjekjeve për reanimim që zgjatën rreth 40 minuta, ai nuk mundi të mbijetojë.
“Një tjetër koleg humbet jetën në krye të detyrës. Një tjetër familje e shkatërruar”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te kushtet e vështira të punës së forcave të sigurisë në operacionet emergjente dhe humanitare në det.
Sindikata kujtoi gjithashtu një tjetër incident të fundit, ku dy oficerë të Guardia Civil humbën jetën më 8 maj gjatë një përplasjeje detare në Huelva, ndërsa ndiqnin një mjet të dyshuar për trafik droge.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





