Transmetuar më 11-05-2026, 18:21

Kosovë – Një krizë e thellë në sektorin e qumështit ka çuar në protesta të fermerëve, të cilët kanë derdhur qumështin në kanale dhe lumenj në shenjë pakënaqësie ndaj uljes së çmimit të blerjes nga kompanitë grumbulluese.

Mbi 100 fermerë kanë protestuar duke denoncuar se çmimi i qumështit është ulur nga rreth 48 centë në 27–30 centë për litër, nivel që sipas tyre e bën të pamundur mbijetesën e prodhimit vendor.

Sipas Naser Bajraktari, situata është alarmante, pasi një pjesë e madhe e prodhimit nuk po blihet nga përpunuesit.

“Rreth 30 për qind e qumështit nuk grumbullohet, ndërsa prodhimi ditor kalon 200 mijë litra”, është shprehur ai.

Nga ana tjetër, përfaqësues të industrisë së përpunimit të qumështit thonë se kompanitë po përballen me stoqe të pashitura dhe konkurrencë të fortë nga importi, i cili sipas tyre vjen me çmime më të ulëta për shkak të subvencioneve në vendet e origjinës.

Gani Durmishi ka deklaruar se tregu vendor po ndikohet ndjeshëm nga produktet e huaja, duke theksuar se konsumatori zgjedh kryesisht çmimin më të ulët.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka deklaruar se sektori i qumështit po përballet me presione të jashtme dhe ndryshime në strukturën e tregut.

Sipas tij, janë vërejtur tendenca për rritje të përdorimit të qumështit pluhur dhe vajit të palmës në përpunim, gjë që ndikon në kërkesën për qumështin vendas.

Muja tha gjithashtu se analizat institucionale tregojnë për një ulje të koordinuar të çmimit të qumështit në fermë që nga fundi i vitit 2024, ndërsa konsumatorët nuk kanë përfituar ulje në çmimet e produkteve finale.

Deklaratat e tij janë kundërshtuar nga ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka kërkuar ndërhyrje të drejtpërdrejtë të qeverisë për subvencionim të gjithë zinxhirit të prodhimit, nga fermeri te tregu.

Edhe përfaqësues politikë si Daut Haradinaj kanë kritikuar mungesën e mbështetjes institucionale, duke e cilësuar të papranueshme derdhjen e qumështit, por duke kërkuar zgjidhje për krizën.

Sipas të dhënave zyrtare, konsumi i produkteve të qumështit në Kosovë mbetet i lartë, ndërsa importet kanë kaluar dhjetëra milionë euro, duke ushtruar presion shtesë mbi prodhuesit vendas.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit