Transmetuar më 11-05-2026, 11:45

Në takimin joformal BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, i organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimi Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ministri i Jashtëm i Kosovës ka kërkuar që vendi të kalojë në fazën e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Glauk Konjufca deklaroi se Kosova është e përkushtuar ndaj integrimit evropian, zbatimit të reformave dhe harmonizimit me politikat e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, duke kërkuar njëkohësisht trajtim të barabartë dhe të drejtë.

Ai theksoi se Kosova mbetet e angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbia, por nënvizoi se procesi duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë mes dy vendeve.

Sipas Konjufcës, një nga faktorët që po ndikon negativisht në stabilitetin e rajonit dhe më gjerë është ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar atë si “keqdashës”.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se zgjerimi i BE-së duhet parë si një domosdoshmëri strategjike dhe se Kosova është gati të avancojë në procesin e bazuar në meritë, duke kërkuar fillimisht marrjen e statusit të vendit kandidat dhe nisjen e negociatave.

“Le të fillojmë me pyetësorin”, u shpreh Konjufca, duke shtuar se pret rezultate konkrete dhe pozitive në këtë drejtim.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit