Transmetuar më 11-05-2026, 08:02

Serbi po financon me fonde publike Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe, organizatë që mbledh ish-anëtarë të Njësisë për Operacione Speciale të Sigurimit Shtetëror serb, e njohur si “Beretat e Kuqe”, pjesëtarë të së cilës janë lidhur me krime lufte dhe vrasje politike gjatë viteve ’90. Sipas një analize të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, vetëm gjatë dy viteve të fundit, përmes konkurseve të Ministrisë serbe të Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale, kësaj shoqate i janë ndarë rreth 23 mijë euro. Shoqata ka përfituar fonde në të gjitha konkurset për mbështetjen e veteranëve që prej emërimit në krye të ministrisë të Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, kryetare e partisë ultranacionaliste Zavetnici. Ministria nuk ka dhënë sqarime lidhur me mënyrën e përdorimit të fondeve apo interesin publik të financimit të projekteve të kësaj organizate, ndërsa as vetë shoqata nuk ka reaguar ndaj pyetjeve të medias. Kryeredaktori i së përjavshmes serbe Vreme, Filip Shvarm, e cilësoi shqetësues promovimin e figurave të lidhura me këtë njësi. “Kur një njësi me një histori të tillë paraqitet si heroike, lind pyetja se çfarë vlerash po promovohen nga pushteti aktual”, deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë.

Njësia e lidhur me krime lufte dhe atentate politike

“Beretat e Kuqe”, të njohura zyrtarisht si Njësia për Operacione Speciale, u krijuan nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë gjatë regjimit të Slobodan Milosevic. Njësia operoi gjatë luftërave në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë, ndërsa disa prej anëtarëve të saj u dënuan më vonë për atentate politike, përfshirë vrasjen e ish-kryeministrit serb Zoran Djindjic në vitin 2003. Ish-krerët e Sigurimit Shtetëror serb, Jovica Stanisic dhe Franko Simatovic, u dënuan nga Tribunali i Hagës me nga 15 vjet burg për mbështetje dhe ndihmë në krime lufte në Bosnje. Njësia u shpërbë zyrtarisht në vitin 2003 pas operacionit policor “Sablja”.

Veteranët në mbështetje të pushtetit të Vuçiqit

Sipas raportit, veteranët e “Beretave të Kuqe” janë bërë pjesëmarrës të rregullt në aktivitetet e organizuara nga partia në pushtet në Serbi dhe në tubimet mbështetëse për presidentin Aleksandar Vucic. Në mars të vitit 2025, ish-anëtarë të njësisë u shfaqën në një kamp në Parkun e Pionierëve në Beograd, ku ishin mbledhur mbështetës të Partisë Përparimtare Serbe. Në ceremoninë e 35-vjetorit të krijimit të njësisë, veteranët falënderuan publikisht Vuçiqin, duke deklaruar se “Beretave të Kuqe u është rikthyer lavdia” gjatë qeverisjes së tij. Analistët vlerësojnë se afrimi i pushtetit serb me ish-pjesëtarët e kësaj njësie synon forcimin e mbështetjes në segmentet nacionaliste të elektoratit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit