Transmetuar më 10-05-2026, 22:23

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka evidentuar një sërë problematikash në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), pas një auditimi që përfshin periudhën 2023–2024, si edhe kontratat publike të realizuara nga viti 2019 deri në vitin 2024.

Sipas raportit të auditimit, ministria ka shfaqur mangësi në hartimin dhe zbatimin e akteve administrative. KLSH thekson se në disa raste nuk përcaktohen qartë strukturat përgjegjëse për zbatimin e tyre, çka krijon paqartësi institucionale dhe rrezik për mbivendosje kompetencash.

Një ndër shqetësimet kryesore lidhet me përdorimin e pesticideve në bujqësi. Auditimi konstaton se për disa produkte bujqësore, normat e përdorimit të pesticideve rezultojnë disa herë më të larta krahasuar me standardet e Bashkimit Europian. Po ashtu, gjatë viteve 2022–2024, në tregun shqiptar kanë qarkulluar 10 produkte për mbrojtjen e bimëve, të cilat janë të ndaluara në vendet e BE-së.

Probleme janë evidentuar edhe në administrimin e tokave bujqësore të dhëna me qira. Nga 673 parcela në administrim të MBZHR-së, vetëm 102 prej tyre, ose rreth 15%, rezultojnë të regjistruara me dokumentacion pronësie në emër të ministrisë. Sipas KLSH-së, këto prona nuk janë pasqyruar siç duhet në bilancet financiare, duke sjellë nënvlerësim të aseteve shtetërore.

Raporti ngre shqetësime edhe për mënyrën e menaxhimit të kontratave publike. Në disa raste, investimet nuk janë realizuar sipas kushteve të marrëveshjeve, ndërsa janë konstatuar ndryshime kontratash dhe mungesë verifikimi të pronësisë përpara dhënies me qira të tokave bujqësore.

Mangësi janë gjetur edhe në procedurat e prokurimeve publike, kryesisht në hartimin e kritereve dhe specifikimeve teknike, të cilat sipas auditimit, në disa raste nuk kanë qenë të argumentuara.

Nga verifikimi i punimeve publike rezulton se një pjesë e tyre kanë mbetur të papërfunduara, ndërsa është kërkuar dëmshpërblim në vlerën 19.053 mijë lekë. Ndërkohë, dëmi total i shkaktuar nga menaxhimi joefektiv i fondeve publike llogaritet në rreth 207 milionë lekë.

Sipas KLSH-së, këto dëme lidhen me investime të papërdorura, pagesa për vendime gjyqësore, shpenzime karburanti dhe problematika në administrimin e tokave bujqësore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit