

Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, në krye të partisë VLEN do të ketë dy kryetarë: Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.
Në kongresin ku u vendos bashkimi i partive të koalicionit, u theksua se VLEN është shndërruar në një parti të vetme, në një shtëpi të përbashkët politike dhe në një forcë që bashkohet rreth një vizioni për të ardhmen, ku vendimmarrja nuk do të varet nga një lider i vetëm.
Kulturë e re politike
Bashkëkryetari i partisë VLEN, Izet Mexhiti, tha se kjo parti do të ndjekë një model të ri funksionimi, duke u distancuar nga mitizimi i liderëve politikë.
Sipas tij, modeli që po ndjek VLEN është i ngjashëm me sistemet evropiane, ku fuqia nuk përqendrohet te individi, por te ekipi drejtues.
“VLEN po sjell një frymë të re demokratike në këtë nën qiell, duke mos u bazuar te individi. Fuqia është te e gjithë udhëheqësia e VLEN-it dhe jo e përqendruar te një individ. Nuk është model që e kemi shpikur, është model që funksionon me sukses në shtetet europiane. Për herë të parë pas shumë vitesh shqiptarët po e ndiejnë se pesha e votës së tyre po kthehet në peshë të vërtetë politike, në përfaqësim të vërtetë, në forcë vendimmarrëse, dhe kjo është arsyeja se pse ky bashkim ka rëndësi historike.
Dy kryetarët do ta udhëheqin këtë parti, jo si ndarje, por si balancë, jo si kompromis, por si garanci se askush nuk është mbi vullnetin e përbashkët brenda VLEN-it”, tha Mexhiti. Jo politikës që jeton nga zënkat
Bashkëkryetari tjetër, Bilall Kasami, tha se VLEN nuk duhet të mbetet thjesht një bashkim partish, sepse nëse ndodh kjo, “atëherë nuk kemi bërë asgjë”.
Sipas tij, VLEN synon të jetë një kulturë e re politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut: më e qetë, më serioze, më institucionale dhe më e përgjegjshme ndaj qytetarit.
“Shqiptarët nuk kanë nevojë për politikë që jeton nga zënkat. Shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat.
Ne besojmë tek familja si vendi i parë ku njeriu mëson besimin, përgjegjësinë dhe dashurinë për tjetrin. Besojmë te puna e ndershme, te njeriu që ngrihet herët për ta mbajtur familjen e vet, te sipërmarrësi që rrezikon, krijon dhe nuk pret gjithçka nga shteti.
Besojmë në identitetin tonë, në gjuhën, në kulturën, në besimin dhe në ato vlera shpirtërore që na kanë mbajtur bashkë edhe në kohët kur kemi pasur pak mundësi, por shumë dinjitet.
Ne besojmë në një shtet modern, në institucione që funksionojnë, në administratë profesionale dhe në drejtësi që është e barabartë për të gjithë, jo nënë për dikë e njerkë për dikë tjetër”, tha Kasami.
Kurti: VLEN dëshmoi përgjegjësi politike
Në Kongresin e VLEN-it në Shkup ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai e vlerësoi bashkimin e pesë subjekteve politike shqiptare si një zhvillim me peshë të veçantë politike dhe shoqërore.
“Ne jemi mësuar që në politikë shumë shpesh të shohim ndarje, copëtime politike në formacione të reja. Prandaj është shumë më e rrallë dhe domethënëse kur disa subjekte të ndryshme arrijnë vullnetin, vizionin dhe pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik.
Kjo, përveçse dëshmon përgjegjësinë politike, përbën një model të ri bashkëpunimi për organizmat politikë që veprojnë në rajon”, tha Kurti. Struktura drejtuese e VLEN
VLEN zgjodhi me shumicën e votave edhe dy nënkryetarët e partisë:
Bekim Çoku Mimoza Musa
Ndërsa Sekretar i Përgjithshëm i partisë u zgjodh Bekim Sali.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





