Transmetuar më 10-05-2026, 15:05

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa më të rrepta kontrolli në sektorin e qumështit, pas protestave të fermerëve dhe shqetësimeve për përdorimin e qumështit pluhur dhe vajit të palmës në produktet e tregut.

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, deklaroi në një konferencë për media se sektori po përballet me “presione të jashtme”, duke përmendur rritjen e importeve të qumështit pluhur dhe fraksioneve të vajit të palmës.

Sipas tij, kontrollet e kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë identifikuar raste kur produktet e shitura si produkte qumështi nuk pasqyrojnë realisht përbërjen e tyre.

“Ani pse produktet mund të paraqiten si me përbërje qumështi, pas analizave ato rezultojnë që kanë përbërje tjetër”, tha Muja.

Ai bëri të ditur se gjatë javës së parë të kontrolleve janë marrë 118 mostra në kufi dhe 52 të tjera në tregun vendas, ndërsa disa ngarkesa importi janë ndaluar ose kthyer mbrapsht për shkak të mospërputhjes me standardet.

Ministri njoftoi se qeveria do të miratojë dy vendime të reja që parashikojnë klasifikim më të qartë të produkteve të qumështit dhe ndarje të veçantë për produktet që përmbajnë qumësht pluhur apo vaj palme.

Sipas masave të reja, emërtimet tradicionale si “qumësht”, “djathë”, “gjizë” apo “krem” do të lejohen vetëm për produktet me përbërje nga yndyrat shtazore.

Reagimi i institucioneve vjen disa ditë pasi fermerët protestuan duke derdhur qumështin në lumë, në shenjë pakënaqësie për uljen e çmimeve të grumbullimit dhe vështirësitë në tregun vendas.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit