

10 fakte të pazakonta për planetin Mars që ndoshta nuk i dinit
Mars është objektivi i madh i ardhshëm i njerëzimit pas Hënës. Ndërsa programet hapësinore po përgatiten për rikthimin e njeriut në Hënë me misionet e NASA-s, fokusi afatgjatë po zhvendoset te Planeti i Kuq, ku shumë agjenci hapësinore dhe kompani private ëndërrojnë misionin e parë me astronautë.
Marsi ka ushqyer imagjinatën njerëzore prej shekujsh. Është një nga planetët më të afërt me Tokën dhe një nga të paktët që mund të shihet edhe me sy të lirë. Për dekada, ai ka qenë simbol i jetës jashtëtokësore, mistereve kozmike dhe aventurës së madhe hapësinore. Edhe pse sot dimë shumë më tepër për të sesa më parë, Marsi vazhdon të fshehë shumë kuriozitete të habitshme.
Ja 10 prej tyre:
John F. Kennedy fillimisht kishte në mendje Marsin
Kur John F. Kennedy mbajti fjalimin historik për garën hapësinore në vitin 1962, ai deklaroi se SHBA do të shkonte në Hënë jo sepse ishte e lehtë, por sepse ishte e vështirë.
Megjithatë, pak njerëz e dinë se Kennedy kishte pyetur ekspertët e NASA-s nëse ishte e mundur të dërgohej njeri në Mars. Pas analizave teknike, shkencëtarët arritën në përfundimin se Marsi ishte shumë larg për teknologjinë e kohës dhe se Hëna ishte objektivi më realist.
NASA vlerësonte se vetëm ulja në Hënë do të kërkonte të paktën 15 vite përgatitje, por Kennedy kërkoi ta realizonte brenda dekadës. Në fund, fokusi mbeti te Hëna dhe misioni Apollo 11 e realizoi këtë në vitin 1969.
Tre persona pretenduan se Marsi ishte prona e tyre
Kur NASA uli me sukses mjetin Pathfinder në Mars në vitin 1997, ngjarja u konsiderua një moment historik për eksplorimin hapësinor.
Por menjëherë pas kësaj, tre burra nga Jemeni pretenduan se Marsi ishte trashëgimi e familjeve të tyre nga paraardhës të lashtë dhe se NASA po shkelte pronën e tyre.
Ata madje ngritën padi dhe kërkuan ndalimin e misionit. Më pas tentuan të shisnin “toka” në Mars për 2 dollarë metri katror. Pretendimi i tyre nuk u mor seriozisht, pasi traktatet ndërkombëtare përcaktojnë qartë se asnjë shtet apo individ nuk mund të zotërojë një planet.
Stuhitë e pluhurit arrijnë lartësi gjigante
Në Tokë, tornado apo vorbullat e pluhurit mund të jenë të frikshme, por në Mars ato arrijnë përmasa krejtësisht të tjera.
NASA ka regjistruar stuhi pluhuri që ngrihen deri në afro 19 kilometra lartësi, shumë më tepër se çdo fenomen i ngjashëm në Tokë.
Megjithatë, atmosfera e hollë marsiane bën që këto stuhi të mos jenë aq shkatërruese sa duken, sepse edhe me shpejtësi të larta, forca reale e erës është shumë më e ulët sesa në Tokë.
Një avokat anglez pretendonte se fliste me marsianët
Një nga historitë më të çuditshme lidhet me Hugh Mansfield Robinson, një avokat britanik i cili besonte se komunikonte telepatikisht me qenie nga Marsi.
Ai pretendonte se kishte nisur komunikimin me ta në vitin 1918 dhe se madje kishte “vizituar” planetin përmes projeksionit astral.
Në vitin 1926, ai organizoi edhe transmetime radiofonike me shpresën se marsianët do t’i përgjigjeshin. Natyrisht, asnjë përgjigje nuk mbërriti ndonjëherë.
Curiosity i këndoi vetes “Happy Birthday”
Roveri Curiosity, një nga robotët më të famshëm të NASA-s në Mars, u ul në planet në vitin 2012 dhe vazhdon të punojë ende sot.
Në përvjetorin e parë të mbërritjes së tij, inxhinierët e NASA-s e programuan që të “këndonte” Happy Birthday për veten, duke përdorur dridhje mekanike të instrumenteve.
Ky moment u bë simbolik, por nuk u përsërit më, sepse NASA vendosi se energjia duhej përdorur vetëm për kërkime shkencore.
Marsi është shumë më i vogël nga sa mendohet
Shumë e imagjinojnë Marsin si një “Tokë alternative”, por në realitet është shumë më i vogël.
Diametri i tij është pak më shumë se gjysma e Tokës, ndërsa masa totale është vetëm rreth 10% e planetit tonë. Kjo do të thotë gravitet shumë më i dobët.
Megjithatë, kur krahasohet vetëm sipërfaqja tokësore, Marsi dhe Toka nuk janë aq larg njëri-tjetrit, sepse pjesa më e madhe e Tokës është e mbuluar nga ujërat.
Marsi ka malin më të madh në sistemin diellor
Nëse mendoni se Everest është i jashtëzakonshëm, Marsi e tejkalon ndjeshëm.
Planeti i Kuq ka Olympus Mons, malin më të lartë dhe vullkanin më të madh në të gjithë sistemin diellor.
Ai ngrihet rreth 21 kilometra mbi sipërfaqe, më shumë se dyfishi i Everestit, dhe ka një gjerësi prej rreth 600 kilometrash.
Për shkak të madhësisë së tij, nëse do të qëndronit mbi të, ndoshta as nuk do ta kuptonit që ndodheshit mbi një mal.
Një pjesë e World Trade Center ndodhet në Mars
Një nga detajet më prekëse është se në Mars ndodhet edhe një fragment i Qendrës Botërore të Tregtisë.
Pas sulmeve të 11 shtatorit, inxhinierët e NASA-s vendosën të përfshinin një copë të vogël alumini nga rrënojat e World Trade Center në roverët Spirit dhe Opportunity.
Fragmenti u integrua në pajisjet e robotëve si një memorial simbolik për viktimat.
Kështu, një pjesë e historisë së Tokës ndodhet sot miliona kilometra larg, në sipërfaqen e Marsit.
Një gabim i thjeshtë shkatërroi një mision të tërë
Në vitin 1998, NASA nisi Mars Climate Orbiter, një anije hapësinore që duhej të studionte atmosferën marsiane.
Por kur mbërriti pranë planetit, humbi plotësisht.
Shkaku ishte një gabim absurd por fatal: një sistem përdorte matje amerikane, ndërsa një tjetër sistem përdorte matje metrike.
Ky konfuzion bëri që llogaritjet të dilnin gabim dhe mjeti të hynte shumë afër atmosferës, duke u shkatërruar.
Fotot e para të Marsit u “ngjyrosën” me lapsa
Në vitin 1965, NASA mori imazhet e para nga afër të Marsit përmes misionit Mariner 4.
Por teknologjia e kohës ishte shumë e ngadaltë dhe shkencëtarët nuk donin të prisnin.
Kështu, morën të dhënat numerike të transmetuara dhe i kthyen manualisht në imazh duke përdorur lapsa me ngjyra për të vizatuar ndriçimin dhe hijet.
Rezultati ishte çuditërisht i afërt me realitetin, edhe pse ngjyrat ishin zgjedhur thjesht sepse ishin ato që ndodheshin pranë në atë moment.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





