

Specialistët e shëndetit mendor në maternitetet e Tiranë kanë bërë thirrje për më shumë vëmendje dhe mbështetje psikologjike ndaj grave gjatë shtatzënisë dhe periudhës pas lindjes.
Në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor të Nënës, psikologët theksuan se mirëqenia emocionale e nënës është thelbësore jo vetëm për shëndetin e saj, por edhe për zhvillimin dhe mirëqenien e foshnjës.
Psikologia pranë Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” u shpreh se fokusi kryesor mbetet organizimi i takimeve mbështetëse dhe klasave prenatale për gratë shtatzëna dhe nënat e reja.
Sipas saj, në Qendrën e Gruas trajtohen tema që lidhen me shtatzëninë, lehoninë, ushqyerjen me gji dhe kujdesin për foshnjën, ndërsa një rëndësi e veçantë i kushtohet depresionit pas lindjes.
“Qëllimi ynë është të krijojmë një ambient të sigurt, mbështetës dhe jo paragjykues për nënat e reja”, u shpreh psikologia, duke shtuar se zhvillohen edhe seanca individuale sipas nevojave të pacienteve.
Ndërkohë, psikologia e Materniteti “Koço Gliozheni” theksoi se shumë gra përballen me ankth dhe ngarkesë emocionale gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, por shpesh hezitojnë të flasin për këto vështirësi.
Ajo nënvizoi se një nënë me shëndet të mirë mendor ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin emocional të fëmijës dhe në ekuilibrin e familjes.
Specialistët apeluan që gratë të kërkojnë ndihmë profesionale sa herë që ndihen të mbingarkuara emocionalisht, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes psikologjike në një nga periudhat më të ndjeshme të jetës së tyre.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





