

Përdorimi i mjeteve të Inteligjenca Artificiale po ndryshon mënyrën se si të rinjtë komunikojnë dhe kërkojnë mbështetje emocionale. Një studim i realizuar nga Ipsos BVA me porosi të CNIL, autoriteti francez për mbrojtjen e të dhënave personale, tregon se rreth një në dy të rinj evropianë përdorin chatbot-et e Inteligjencës Artificiale për të diskutuar çështje intime apo personale.
Sondazhi, i zhvilluar me 3 800 të rinj të moshës 11 deri në 25 vjeç, zbulon se 51% e tyre e kanë më të lehtë të flasin për problemet e shëndetit mendor me një ndërfaqe dixhitale sesa me profesionistë të kujdesit shëndetësor.
Sipas raportit, vetëm 49% e të anketuarve iu drejtuan këshilltarëve njerëzorë, ndërsa 37% kërkuan ndihmë nga psikologë.
Studimi evidenton se chatbot-et po perceptohen gjithnjë e më shumë si “këshilltarë jete”, kryesisht për shkak të aksesit të menjëhershëm dhe disponueshmërisë së vazhdueshme. Rreth 60% e pjesëmarrësve i shohin këto platforma si një alternativë mbështetëse për problemet personale dhe emocionale.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për rreziqet që lidhen me varësinë emocionale ndaj sistemeve të IA-së. Sipas raportimeve të Reuters, shqetësimet mbi ndikimin psikologjik të këtyre teknologjive tek të rinjtë janë shtuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit.
Specialistët theksojnë se, pavarësisht avancimeve teknologjike, Inteligjenca Artificiale ende ka kufizime në kuptimin e emocioneve njerëzore dhe nuk mund të zëvendësojë plotësisht mbështetjen profesionale apo ndërveprimin njerëzor në çështjet e shëndetit mendor.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





