Transmetuar më 09-05-2026, 23:25

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka publikuar udhëzime të reja për menaxhimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit të anijes MV Hondius, pas dyshimeve për ekspozim ndaj hantavirusit.

Dokumenti u drejtohet autoriteteve shëndetësore të vendeve të BE-së dhe Zonës Ekonomike Evropiane, si edhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe personelit të transportit që janë të përfshirë në procesin e monitorimit, izolimit dhe trajtimit të pasagjerëve.

Masa të shtuara për personelin shëndetësor

Sipas rekomandimeve të ECDC-së, profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të zbatojnë masa të përforcuara mbrojtëse gjatë kontaktit me personat e dyshuar për infeksion.

Rekomandohet përdorimi i:

dorezave mbrojtëse, uniformës mjekësore, maskës respiratore FFP2, mbrojtjes për sytë.

Gjithashtu, kërkohet ventilim i mirë i ambienteve, dezinfektim i vazhdueshëm dhe mbajtja e maskave mjekësore nga të gjithë pasagjerët gjatë procedurave të kontrollit.

Çfarë është hantavirusi?

Sipas virologut italian Fabrizio Pregliasco, hantaviruset janë viruse zoonotike që transmetohen nga kafshët te njerëzit, kryesisht përmes brejtësve.

“Deri më sot, transmetimi nga njeriu te njeriu është dokumentuar vetëm për virusin Andes, i përhapur kryesisht në Argjentinë dhe Kili, i cili lidhet edhe me rastin në bordin e ‘MV Hondius’,” deklaroi ai.

Çfarë ndodh me pasagjerët që kanë simptoma?

ECDC ka bërë të ditur se pasagjerët që shfaqin simptoma do të testohen dhe vlerësohen me prioritet. Në varësi të gjendjes shëndetësore, ata mund:

të qëndrojnë në izolim në Tenerife, ose të transferohen në vendin e tyre të origjinës për izolim të kontrolluar.

Në rast rezultati pozitiv, masat e izolimit dhe trajtimit do të vazhdojnë. Edhe personat me rezultat negativ mund të mbahen nën monitorim dhe karantinë deri në gjashtë javë, si masë parandaluese.

Pasagjerët pa simptoma konsiderohen “me rrezik të lartë”

Autoritetet shëndetësore po i trajtojnë aktualisht edhe pasagjerët asimptomatikë si kontakte me rrezik të lartë.

Riatdhesimi i tyre do të kryhet përmes transporteve të organizuara posaçërisht nga shtetet përkatëse, në koordinim me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile. Sipas ECDC-së, nuk do të përdoren fluturime të zakonshme tregtare.

Pas kthimit në vendet e tyre, udhëtarët do të vendosen në vetëkarantinë dhe do të monitorohen për shfaqje simptomash.

Mbështetje shtesë nga Bashkimi Evropian

ECDC ka dërguar tashmë një ekspert në terren, ndërsa Spanja ka kërkuar mbështetje shtesë përmes Task Forcës së BE-së për Shëndetin.

Në mision janë përfshirë:

një ekspert shtesë i ECDC-së, dy specialistë të Programit Evropian të Epidemiologjisë së Ndërhyrjes.

Ekspertët do të mbështesin koordinimin me autoritetet spanjolle dhe ato të Ishujt Kanarie, si edhe do të asistojnë në masat e gatishmërisë dhe reagimit.

Si mund të parandalohet përhapja?

Ekspertët rekomandojnë:

shmangien e kontakteve me brejtësit, mbajtjen pastër të ambienteve, ruajtjen e ushqimeve në enë të mbyllura, mbylljen e hyrjeve ku mund të futen minjtë, dezinfektimin e zonave të ndotura nga brejtësit.

Sipas virologut Pregliasco, përdorimi i maskës nuk rekomandohet për popullatën e gjerë, përveç rasteve kur personat hyjnë në ambiente ku mund të ketë prani brejtësish.

Udhëtimet drejt Amerikës së Jugut mbeten të sigurta

Eksperti italian theksoi se aktualisht nuk ekzistojnë kufizime për udhëtimet drejt Argjentina apo vendeve të tjera të Amerikës Latine.

Ai rekomandoi që qytetarët të ndjekin vetëm informacionet zyrtare dhe të shmangin zonat me rrezik të lartë higjieno-sanitar.

“Besoj se pas këtij rasti masat higjienike në kroçera do të forcohen edhe më shumë. Aktualisht është e sigurt të udhëtosh me avion, traget apo tren,” përfundoi ai.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit