

Kreu i Organizata Botërore e Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura lidhur me rrezikun e mundshëm nga hantavirusi, duke theksuar se situata aktuale nuk duhet krahasuar me pandeminë e COVID-19.
Në një letër publike drejtuar banorëve të Tenerife, kreu i OBSH-së pranoi shqetësimin e qytetarëve, sidomos për shkak të kujtimeve të forta të pandemisë së vitit 2020.
“E di që jeni të shqetësuar. E di që kur dëgjoni fjalën ‘shpërthim’ dhe shikoni një anije që lundron drejt brigjeve tuaja, shfaqen kujtime që asnjëri prej nesh nuk i ka harruar plotësisht. Dhimbja e vitit 2020 është ende reale dhe unë nuk e shpërfill atë për asnjë moment,” thuhet në deklaratën e tij.
Megjithatë, Ghebreyesus theksoi se vlerësimi aktual i ekspertëve të OBSH-së mbetet i qartë: rreziku për shëndetin publik konsiderohet i ulët.
“Ky është vlerësimi i OBSH-së dhe ne nuk e bëjmë atë lehtë,” u shpreh ai, duke synuar të qetësojë opinionin publik dhe të shmangë panikun e panevojshëm.
Deklarata vjen në një moment kur raportimet mbi raste të lidhura me hantavirusin kanë rikthyer frikën globale për përhapjen e sëmundjeve infektive, ndërsa autoritetet shëndetësore ndërkombëtare vijojnë monitorimin e situatës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





