Transmetuar më 09-05-2026, 21:11

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka publikuar të dhënat e kontrollit teknik të automjeteve për periudhën janar-prill 2026, duke bërë të ditur se mijëra mjete janë testuar në Qendrat e Kontrollit Teknik në të gjithë vendin.

Sipas DPSHTRR-së, gjatë katër muajve të parë të vitit janë kontrolluar gjithsej 126 719 mjete të kategorive të ndryshme, në kuadër të verifikimeve periodike që synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin e standardeve teknike të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit.

Pjesën më të madhe të mjeteve të testuara e përbëjnë automjetet e kategorisë 4+1 dhe 8+1 vende. Konkretisht, janë kontrolluar 112 164 automjete të kësaj kategorie, ose 88.5% e totalit të mjeteve të testuara.

Ndërkohë, kontrolleve teknike iu nënshtruan edhe:

6 888 kamionë, ose 5.4% e totalit; 5 494 motomjete, ose 4.3%; 1 261 autobusë; 483 rimorkio; 429 mjete ndërtimi dhe punimi toke. Mbi 2 500 mjete çregjistrohen përfundimisht

Sipas të dhënave zyrtare, 2 538 automjete me moshë mesatare 22-vjeçare janë çregjistruar përfundimisht gjatë kësaj periudhe, shifër kjo 35.3% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

DPSHTRR sqaron se arsyet kryesore të nxjerrjes jashtë qarkullimit të këtyre mjeteve lidhen me mungesën e standardeve të sigurisë, amortizimin e lartë, konsumimin e tepërt dhe mosplotësimin e kushteve teknike.

Sipas institucionit, ky proces ndikon drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë rrugore dhe në kufizimin e qarkullimit të automjeteve që paraqesin rrezik për përdoruesit e rrugës.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor thekson se kontrolli teknik mbetet një nga mekanizmat kryesorë për uljen e riskut të aksidenteve dhe respektimin e standardeve teknike dhe mjedisore nga drejtuesit e mjeteve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit