

Autoritetet spanjolle kanë identifikuar personin e parë të infektuar me hantavirus në anijen turistike “Hondius”, që po lundronte në Atlantik. Sipas mediave ndërkombëtare, bëhet fjalë për ornitologun Leo Schilperund, i cili dyshohet se ka qenë “pacienti zero” i shpërthimit të virusit në bord.
70-vjeçari dhe bashkëshortja e tij, 69 vjeçe, e cila gjithashtu humbi jetën, ndodheshin në një udhëtim pesëmujor në Amerikën e Jugut. Çifti kishte zbarkuar fillimisht në Argjentinë më 27 nëntor, ndërsa më pas kishin udhëtuar drejt Kilit dhe Uruguait, për t’u rikthyer sërish në Argjentinë në fund të marsit, ku morën pjesë në një ekspeditë për vëzhgimin e shpendëve.
Dyshohet se pikërisht gjatë kësaj aventure ata janë ekspozuar ndaj virusit.
Ndërkohë, mbërritja e anijes në Ishujt Kanarie ka shkaktuar shqetësim tek banorët lokalë, të cilët druhen nga përhapja e virusit, pavarësisht masave të rrepta të sigurisë të vendosura nga autoritetet shëndetësore.
Si do të zhvillohet operacioni i evakuimit?
Sipas planit të autoriteteve spanjolle, anija pritet të hyjë në ujërat territoriale të Ishujve Kanarie në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe të ankorohet pranë portit industrial të Granadillës, në juglindje të Tenerife-s.
Pasagjerët do të transportohen në tokë me mjete të vogla lundruese, në grupe prej pesë personash, drejt një zone të izoluar në port. Më pas, automjete të specializuara do t’i dërgojnë direkt në aeroport, nga ku do të realizohen fluturimet e riatdhesimit.
Shtetasit spanjollë do të transportohen me helikopter drejt Madridit dhe do të sistemohen në spitalin ushtarak “Gomez Ulla”.
“Operacionet do të nisin në agim, sapo të ketë dritë të mjaftueshme për të filluar punën”, deklaroi zyrtari lokal Alfonso Cabello.
Rreth 30 anëtarë të ekuipazhit do të mbeten në bord për të vijuar lundrimin drejt Holandës, ku autoritetet vendase do të kryejnë procesin e dezinfektimit të plotë të anijes.
Ndërkohë, trupi i një prej pasagjerëve që humbi jetën gjatë udhëtimit do të mbetet në bord deri në mbërritjen e anijes në Holandë.
Autoritetet po shqyrtojnë kohëzgjatjen e karantinës
Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë së Spanjës, Pedro Guillon, deklaroi se ekspertët po analizojnë kohëzgjatjen e nevojshme të izolimit për pasagjerët spanjollë.
“Duhet të vlerësojmë periudhën e inkubacionit dhe momentin kur simptomat kanë më shumë gjasa të shfaqen, në mënyrë që karantina të mos zgjasë më shumë sesa kërkohet nga këndvështrimi i shëndetit publik”, u shpreh ai.
Hantavirusi ka një periudhë inkubacioni që mund të zgjasë deri në 45 ditë. Varianti i Andeve, i identifikuar në anijen “Hondius”, konsiderohet i vetmi lloj që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu dhe zakonisht ka një periudhë transmetimi prej rreth 48 orësh para dhe pas shfaqjes së simptomave.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





