

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka sulmuar Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, duke deklaruar se nuk komunikon me persona që, sipas tij, “i duan të keqen Serbisë”.
Gjatë një deklarate për mediat, Vuçiç tha se ka ndalur së foluri për Marta Kos, ndërsa refuzoi të komentojë më tej mbi marrëdhënien me zyrtaren evropiane.
“E shihni që kam pushuar së foluri për Marta Kos. Nuk do të them asnjë fjalë për të”, deklaroi ai, raportojnë mediat serbe.
I pyetur nëse, për shkak të funksioneve që mbajnë, duhet të vazhdojë komunikimin me Komisioneren për Zgjerim, Vuçiç u përgjigj me tone ironike, duke akuzuar zyrtarët evropianë për qëndrime të padrejta ndaj Serbisë.
“Për çfarë duhet të flas me ata që gënjejnë për Serbinë? Ka shumë arsye personale dhe të tjera. Megjithatë, për mua është e rëndësishme që Serbia të mbetet në rrugën evropiane”, tha presidenti serb.
Deklaratat e Vuçiç vijnë pak ditë pasi Bashkimi Evropian vendosi të pezullojë mbështetjen financiare për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes, pas shqetësimeve të ngritura lidhur me ndërhyrjet në sistemin gjyqësor të vendit.
Komisionerja Marta Kos deklaroi se Serbia nuk do të mund të përfitojë nga fondet e BE-së derisa të adresojë problemet e evidentuara në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Ajo theksoi gjithashtu se një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian “nuk mund të ulet në dy karrige”, duke nënvizuar se Serbia do të duhet të bëjë një zgjedhje të qartë për orientimin e saj politik dhe strategjik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





