Transmetuar më 07-05-2026, 22:37

Raporti i fundit i Komitetit Kombëtar Antidrogë të Ministrisë së Brendshme italiane thekson se: “Kriminaliteti shqiptar ka fituar tashmë një peshë ndërkombëtare që e bën një partner të besueshëm dhe të aftë në trafikun e drogës, edhe falë mënyrës moderne me të cilën përditëson metodat operative. Sipas raportit, pozicioni gjeografik e ka kthyer Shqipërinë në një pikë strategjike për trafikun e narkotikëve në zemër të Europës. Nga territori shqiptar kontrollohen rrugët e trafikut të marijuanës dhe heroinës përgjatë “rrugës ballkanike”, ndërsa në zonat përtej Adriatikut vazhdon kultivimi dhe prodhimi në sasi të mëdha i kanabisit

Media italiane në një raport të posaçëm që publikoi të enjten 7 maj sugjeron se ka një rritje domethënëse të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali.

Sipas tyre, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, forcat e rendit në rajonin e Venetos në Itali kanë realizuar disa operacione të rëndësishme antidrogë që tregojnë se sa shumë janë zgjeruar rrjetet kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Policia e Venecias arrestoi në Tiranë një bos të trafikut të drogës, i cili kishte menaxhuar aktivitetin kriminal në zonën e Venecias që prej vitit 2009 dhe prej katër vitesh ishte në arrati pas dënimit të tij.

Në Padova, policia arrestoi tre shqiptarë të tjerë me banim në Itali, të kapur në zonën Padova Est me rreth 2.5 kilogramë kokainë.

Ndërkohë, Guardia di Finanza në Vicenza dhe policia e Rovigos goditën një grup trafikantësh të përbërë nga pesë italianë dhe katër shqiptarë, të cilët furnizonin me drogë një pjesë të madhe të Venetos. Sipas hetimeve, aktiviteti drejtohej nga një shqiptar që vazhdonte të menaxhonte trafikun edhe nga qelia e burgut në Rovigo.

Tre operacione brenda pak orësh që, siç shkruan media italiane, tregojnë se sa të përhapura janë bërë aktivitetet kriminale të grupeve shqiptare në Itali, shkruan media italiane.

Nga grupe të vogla familjare në rrjete ndërkombëtare

Sipas analizës së autoriteteve italiane, grupet kriminale shqiptare nisën aktivitetin në Itali në vitet ’90 si grupe të vogla me bazë familjare, por me kalimin e viteve arritën të ngjiteshin në nivelet më të larta të trafikut europian të drogës.

Në fillim shqiptarët konsideroheshin kryesisht shpërndarës në rrugë, por sot ata përshkruhen si organizatorë dhe menaxherë të drejtpërdrejtë të një biznesi multimilionësh.

Raporti i fundit i Komitetit Kombëtar Antidrogë të Ministrisë së Brendshme italiane thekson se:

“Kriminaliteti shqiptar ka fituar tashmë një peshë ndërkombëtare që e bën një partner të besueshëm dhe të aftë në trafikun e drogës, edhe falë mënyrës moderne me të cilën përditëson metodat operative.”

Shqipëria si qendër strategjike e trafikut

Sipas raportit, pozicioni gjeografik e ka kthyer Shqipërinë në një pikë strategjike për trafikun e narkotikëve në zemër të Europës.

Nga territori shqiptar kontrollohen rrugët e trafikut të marijuanës dhe heroinës përgjatë “rrugës ballkanike”, ndërsa në zonat përtej Adriatikut vazhdon kultivimi dhe prodhimi në sasi të mëdha i kanabisit.

Por roli më i rëndësishëm, sipas autoriteteve italiane, lidhet me trafikun e kokainës.

Grupet shqiptare janë bërë ndërmjetësit kryesorë mes karteleve të Amerikës së Jugut dhe tregut europian. Ata menaxhojnë magazinimin dhe shpërndarjen e kokainës në portet e Holandës dhe Belgjikës, ndërsa portet jugore italiane mbeten kryesisht nën kontrollin e mafias kalabreze.

Mbi 1.800 shqiptarë të denoncuar për drogë në Itali

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme italiane – të fundit janë ato për vitin 2024, më shumë se 1.800 shtetas shqiptarë janë denoncuar në Itali për vepra penale që lidhen me drogën.

Nga këta, mbi 1.300 raste kishin lidhje direkte me trafikun dhe shpërndarjen e kokainës.

Rrugët e trafikut nga Shqipëria drejt Italisë

Autoritetet italiane theksojnë se droga nga Shqipëria hyn në Itali si me rrugë tokësore drejt veriut të vendit, ashtu edhe përmes detit në zonën e Pulias dhe Italisë së Jugut.

Në Adriatik përdoren mjete të ndryshme transporti, nga anije dhe gomone të vjedhura deri te mjete më të sofistikuara. Së fundmi, hetuesit italianë kanë zbuluar madje edhe përdorimin e një mini-nëndetëseje për trafikun e drogës.

Bëhet fjalë për një kanal furnizimi tashmë të konsoliduar, kundër të cilit policitë italiane po zhvillojnë një luftë të vazhdueshme. Në disa raste, si operacionet e fundit në Veneto, autoritetet kanë arritur rezultate të rëndësishme kundër rrjeteve kriminale shqiptare.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit