Transmetuar më 07-05-2026, 22:21

Operacion antidrogë në Napoli, hetimet zbulojnë furnizimin e Italisë me drogë nga grupet shqiptare

Një megaoperacion i Karabinierëve italianë në Napoli ka zbuluar se organizatat kriminale shqiptare dyshohet se furnizonin me sasi të mëdha droge klanin mafioz “Di Lauro”, një nga grupet më të njohura të Camorrës në zonën e Secondiglianos.

Sipas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria Antimafia e Napolit dhe Karabinierët italianë, droga mbërrinte në Itali përmes kanaleve të lidhura me organizata kriminale shqiptare, të cilat siguronin furnizimin me kokainë dhe hashash për tregun napolitan.

Autoritetet italiane arrestuan 14 persona të dyshuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të trafikut të drogës, ndërsa hetimet zbuluan një rrjet të strukturuar që vepronte mes viteve 2019-2023 në zonat Secondigliano dhe Vasto-Arenaccia.

Sipas prokurorisë italiane, grupi kriminal i lidhur me klanin “Di Lauro” siguronte vazhdimisht ngarkesa të mëdha droge nga rrjete shqiptare, të cilat më pas shpërndaheshin në pikat kryesore të trafikut në Napoli.

Droga nga Shqipëria furnizon Napolin, shkruan media italiane që citon noa.al dhe shton: Hetuesit evidentuan se grupi siguronte sasi të mëdha droge përmes kanaleve që ishin të lidhura me organizatat kriminale shqiptare. Droga më pas shpërndahej kryesisht në lagjet Secondigliano dhe Vasto-Arenaccia, dy zona strategjike për trafikun e drogës në Napoli. Sipas hetuesve, sistemi garantonte fitime të mëdha të paligjshme përmes shitjes së kokainës dhe kanabisit, duke ushqyer një rrjet të mirëstrukturuar dhe të mirëvendosur të trafikimit të drogës. Nuk u bë e ditur si arrihet të futet droga nga Shqipëria duke mbërritur më pas deri në Napoli.

Hetuesit italianë thonë se bashkëpunimi me grupet shqiptare ishte thelbësor për furnizimin e tregut të drogës në veri të Napolit dhe për garantimin e fitimeve të mëdha nga shitja e kokainës dhe hashashit.

Gjatë operacionit, karabinierët sekuestruan disa kilogramë lëndë narkotike dhe arrestuan edhe 6 persona në flagrancë gjatë fazës hetimore, ndërsa përgjimet dhe vëzhgimet teknike ndihmuan në zbardhjen e rrjetit të trafikut.

Sipas autoriteteve italiane, trafiku i drogës vazhdon të jetë një nga burimet kryesore financiare të organizatave mafioze në Itali, ndërsa grupet kriminale shqiptare mbeten ndër furnitorët kryesorë të kokainës dhe hashashit për tregun italian.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit