

Emiratet e Bashkuara Arabe po përshpejtojnë transformimin e sistemit shëndetësor drejt një modeli të bazuar në parashikim dhe parandalim, përmes përdorimit të inteligjencës artificiale dhe analizës së avancuar të të dhënave.
Në këtë zhvillim inovativ është përfshirë edhe shqiptari Arlend Gjoni, bashkëthemelues i laboratorit “Prepaire Labs”, i cili po përdor inteligjencën artificiale dhe analizat gjenetike për të identifikuar rreziqet shëndetësore përpara shfaqjes së simptomave.
Në një intervistë për Forbes Middle East gjatë samitit “Make it in UAE” në Abu Dhabi, Gjoni theksoi se “inteligjenca biologjike” do të jetë e ardhmja e mjekësisë dhe do të ndryshojë mënyrën globale të kujdesit shëndetësor.
Sipas tij, teknologjitë e reja mund të ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjeve kronike si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa forma të kancerit, duke mundësuar trajtim më të shpejtë dhe më efikas.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë investuar ndjeshëm në teknologji mjekësore, me synimin për t’u shndërruar në një qendër globale të inovacionit në shëndetësi.
Përmes bashkëpunimit mes laboratorëve, spitaleve dhe kompanive të inteligjencës artificiale, vendi synon krijimin e një sistemi shëndetësor më të personalizuar, më efikas dhe më të shpejtë për pacientët.
Arlend Gjoni shprehet se epoka e mjekësisë parandaluese tashmë ka nisur dhe se teknologjia do të luajë një rol kyç në rritjen e cilësisë së jetës, uljen e kostove të trajtimeve dhe përmirësimin e jetëgjatësisë në nivel global.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





