

Policia greke ka arrestuar katër persona të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e mafiozit Jorgos Moskouris, ekzekutim i ndodhur më 24 prill 2025 në zonën e Halandri.
Sipas autoriteteve greke, operacioni u zhvillua pas një hetimi disa mujor nga Departamenti i Vrasjeve, ndërsa të ndaluarit dyshohet se kanë ndihmuar autorët e atentatit duke siguruar armë, mjete dhe mbështetje logjistike.
55-vjeçari Moskouris u ekzekutua me armë automatike jashtë një klinike private në Athinë, në një atentat që hetuesit e konsiderojnë të organizuar në mënyrë profesionale.
Në mesin e të arrestuarve ndodhen dy persona me origjinë shqiptare, Dhionis Kokoni dhe një shtetas me mbiemrin Jupe, si dhe dy shtetas grekë, Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos.
Sipas hetimeve paraprake, grupi dyshohet të ketë pasur rol mbështetës në organizimin e atentatit, ndërsa autorët e drejtpërdrejtë mendohet të jenë persona të huaj që kanë hyrë dhe janë larguar menjëherë nga Greqia pas krimit.
Autoritetet po vijojnë hetimet edhe për persona të tjerë të dyshuar si të lidhur me organizimin e vrasjes, përfshirë një figurë të njohur të botës së krimit që besohet se ndodhet jashtë vendit.
Sipas burimeve hetimore, ngjarja lidhet me përplasjet mes grupeve kriminale për kontrollin e aktiviteteve të paligjshme, përfshirë kontrabandën e duhanit.
Megjithëse katër persona janë arrestuar, autorët ekzekutorë të atentatit ende nuk janë identifikuar dhe mbeten në kërkim.
Pas vrasjes, autorët u larguan me një automjet të vjedhur, i cili më vonë u gjet i djegur në zonën e Halandri.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





