Transmetuar më 07-05-2026, 17:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, njoftoi sot se është marrë vendim për të ndaluar dhënien e komunikatave ditore për ngjarjet që trajton policia e Shtetit në 12 prefekturat e vendit.

Vendimi që shpalli z. Hita përcakton se në vijim nuk do të ketë komunikata ditore as të 12 prefekturave dhe as komunikatë kombëtare.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit, të gjitha zyrat për shtyp në 12 prefekturat e vendit, pushuan së dërguar informacione për ngjarjet në vend.

Ndonëse vendimi krijon shqetësime serioze për mungesë transparence, z.Hita në daljen e sotme për media tha se vendimi "nuk është një tërheqje nga transparenca".

Ai shtoi se publikimi në media i komunikatave ditore është informacion i tepërt: "…Ne besojmë se qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për më shumë informacion, por për informacion të saktë, të verifikuar dhe të përgjegjshëm, për informacion të matur që të mos ndikojë te perceptimi negativ dhe te kriminalizimi i shoqërisë".

Sipas Hitës, qytetarët kanë nevojë për informacion të saktë dhe të verifikuar.

Por me vendimin e ri, redaksive u rritet barra e verifikimit pikërisht sepse informacionet që merr në rrugë gazetareske, okulare – apo dhe direkt nga qytetarët, nuk do të mund të konfirmohen nga mungesa e komunikatës ditore. Mediat serioze, çdo informacion që marrin, e konfirmojnë në rrugë zyrtare, por vendimi i shpallur sot, e bllokon një proces të tillë që noa.al ndjek rigorozisht prej 20 vjetësh.

Ajo që bëri përshtypje gjithashtu në fjalën e Hitës, ishte se ai e konsideroi ndalimin e komunikatës ditore si zgjidhje kundër kriminalizimit të shoqërisë(!)

"Mbingarkesa me lajme kriminale, shpesh të dhëna në mënyrë të fragmentuar apo të nxituar, krijon një ndjenjë pasigurie që jo gjithmonë pasqyron realitetin. Informacioni i pakonfirmuar dëmton jo vetëm hetimet, por edhe besimin e qytetarëve te institucionet", justifikoi Hita vendimin që tha se ka marrë.

Por përse në të vërtetë, kreu i ri i policisë ka dalë me këtë vendim?

Ashtu si e tërë qeveria, edhe policia e Shtetit po përfshihet në fushatë promovuese, sepse, siç pohoi Hita, "Policia e Shtetit nuk është vetëm kronikë krimi, por ajo është çdo ditë në terren për parandalimin, për bashkëpunimin me komunitetin, për takimet me këshillat e sigurisë, si dhe për edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve".

Noa.al është plotësisht dakord me promovimin e punës së Policisë dhe e bën këtë sa herë është rasti, por kjo nuk do të thotë që të ndalohet publikimi i ngjarjeve që ndodhin në vend.

Që nga viti 1991 është hera e parë që tentohet të ndalohen komunikatat ditore të policisë në të 12 qarqet e vendit. Më herët është ndaluar edhe komunikata ditore e Republikës, duke thelluar mungesën e transparencës me mediat dhe publikun.

Një vendim i tillë, i njëanshëm, është dukshëm mungesë transparence dhe privim i qytetarëve nga e drejta për informim. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit