Transmetuar më 07-05-2026, 12:53

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka deklaruar në Kuvend se javën e ardhshme pritet të miratohet një paketë mbështetëse për sektorin e transportit publik, në kuadër të masave për përballimin e situatës aktuale të çmimeve të karburanteve.

Gjatë interpelancës së kërkuar nga një grup deputetësh lidhur me çmimin e naftës në vend, ministri tha se qeveria po ndërmerr masa shumëplanëshe për stabilizimin e situatës.

Masat e qeverisë

Karakaçi u shpreh se është në proces miratimi një paketë mbështetëse për transportin publik qytetas dhe ndërqytetas, e cila pritet të finalizohet javën e ardhshme.

Ai gjithashtu bëri të ditur se është ngritur një grup pune për kontrollin e rezervave të hidrokarbureve, me qëllim verifikimin e gjendjes së depozitave dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin në fuqi.

“Rezervat e sigurisë menaxhohen nga agjencitë shtetërore dhe vihen në dispozicion në rast mungese të produktit në treg. Deri tani, Shqipëria nuk është e ekspozuar ndaj këtij risku”, deklaroi ministri.

Kontroll dhe monitorim i tregut

Sipas tij, grupi i punës ka detyrë të kryejë kontrolle në terren për të garantuar funksionimin e sistemit të rezervave strategjike të hidrokarbureve dhe furnizimin normal të tregut.

Ministri shtoi se janë zhvilluar diskutime me grupet e interesit dhe se institucionet kanë reaguar në kohë ndaj situatës së krijuar në tregun e karburanteve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit