

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj spekulimeve për një bashkëpunim të mundshëm mes Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani në zgjedhjet e ardhshme, duke deklaruar se “nuk duhet të ngatërrohen dëshirat me faktet”.
Gjatë inaugurimit të punimeve në rrugën Kijevë–Malishevë, Kurti tha se mirëpret çdo subjekt apo individ që ka ambicie politike dhe vizion për qytetarët, por theksoi se vendimin për pushtetin e merr vetëm populli.
“Të gjithë ata që kanë ambicie politike, duan pushtet, kanë ide e vizion për të mirën e qytetarëve, le të angazhohen dhe të punojnë. Por duhet ta keni parasysh se për këtë nuk vendos asnjë kryetar partie apo pretendent për çfarëdo posti, për këtë vendos populli”, deklaroi ai.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje rikujtoi edhe rezultatin e zgjedhjeve të fundit, duke theksuar se qytetarët i dhanë besimin më të madh partisë së tij.
“Mos harroni si ka vendosur populli para katër muajve. 51.1% ia dha LVV-së. LVV-ja ka 57 deputetë, ndërsa PDK, LDK dhe AAK së bashku kanë 43. Njerëzit kanë dëshira, por nuk duhet me i ngatërru dëshirat me faktet”, u shpreh Kurti.
I pyetur edhe për vendimin e Gjykatës Speciale për shtyrjen deri më 20 korrik të afatit për shpalljen e vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Kurti tha se Kosova ka nevojë për “një gjykatë normale”, ndërsa shtoi se duhet të nxirren mësime nga vendimet politike që çuan në krijimin e saj.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





