

Një ngjarje e rëndë është raportuar në Ferizaj të Kosovës, ku një foshnjë ka humbur jetën menjëherë pas lindjes në ambientet e tualetit të Qendrës së Emergjencës në këtë qytet.
Sipas informacioneve paraprake, rasti është cilësuar nga Policia e Kosovës si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes”.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa gruaja e dyshuar, shtetase shqiptare e Koso, po vazhdon trajtimin mjekësor.
Rasti i rëndë në Ferizaj, gjinekologia jep detaje: Foshnja kishte shenja të ngulfatjes
Ushtruesja e detyrës së drejtorit në Spitalin e Ferizajt Minire Alilaj-Beqiraj ka dhënë detaje për RTV21 lidhur me rastin tragjik të foshnjës që ndërroi jetë pas lindjes në Emergjencën e Ferizajt.
Ajo tha se pacientja me inicialet F.M., nga Prelezi kishte shkuar në spital bashke me familjarët e saj, me ankesa për obstipacion dhe gjakderdhje nga zorra e trashë, ndërsa menjëherë kishte kërkuar të hynte në tualet, ku më pas kishte kryer lindjen.
“Pacientja me inicialet F.M. nga Prelezi ka ardhur në Emergjencën e Ferizajt me ankesa për obstipacion dhe gjakderdhje nga zorra e trashë, e shoqëruar nga motra, nëna dhe babai. Menjëherë pasi ka ardhur, ajo ka kërkuar të hyjë në tualet, ku më pas ka kryer lindjen.”, tha Alilaj.
Sipas saj, dera e tualetit është hapur më vonë nga jashtë nga stafi, ndërsa foshnja është gjetur në një shportë, e ndarë nga kordoni ombilikal nga vetë pacientja.
“Pastaj dera është hapur nga jashtë nga stafi dhe familjarët. Kur kanë hyrë brenda, foshnja është gjetur në një shportë, e ndarë nga kordoni ombilikal nga vetë pacientja.”, shtoi ajo.
Mjekja tutje bëri të ditur se në vendngjarje ka qenë edhe neonatologia kujdestare, e cila kishte konstatuar se foshnja ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Foshnja ka qenë në hipotermi, e ftohtë, me tonus nën 100 dhe saturim nën 60. Është tentuar reanimimi emergjent, por foshnja nuk ka arritur të mbijetojë”, deklaroi ajo.
Sipas raportimeve të neonatologes, foshnja kishte shenja të ngulfatjes dhe kishte qëndruar për një kohë në tualet në temperaturë të ulët.
“Janë ndërmarrë menjëherë procedurat e reanimimit, por foshnja nuk ka arritur të mbijetojë. Sipas neonatologes, foshnja kishte shenja të ngulfatjes dhe dyshohet se pacientja i ka lëshuar ujë në banjo, duke e ftohur shumë foshnjën.”, shtoi ajo.
Gjendja shëndetësore e pacientës sipas gjinekologes është stabile.
“Vrasje e foshnjës gjatë lindjes”, e dyshuar nëna
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka njoftuar se e dyshuara raportohet se kishte lindur foshnjën në tualetin e Emergjencës.
Foshnja ishte gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kishte vdekur pas një kohe të shkurtër.
”Vrasje e foshnjës gjatë lindjes. E dyshuara femër shqiptare, raportohet se në tualetin e Emergjencës kishte lindur foshnjën e saj. Foshnja ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka ndërrua jetë pas pak kohe.
Me vendim të prokurorit foshnja është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, për procedura të mëtjeshme hetimore, derisa e dyshuara ndodhet në spitalin e Gjinekologjisë Ferizaj, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore”, tha Veseli.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





