

Shkencëtarja e përfshirë në kërkimet për UFO-t pretendoi se një armë energjie shumë sekrete e shpërtheu para vdekjes së saj… tani Pentagoni pranon se ato që ajo tha, janë të vërteta!
Pentagoni ka konfirmuar se është duke përdorur teknologji të avancuara të armëve energjetike për qëllime mbrojtëse, duke ringjallur debatet dhe teoritë që prej vitesh flasin për ekzistencën e këtyre sistemeve sekrete ushtarake. Mes personave që kishin folur publikisht për këtë teknologji ishte edhe një nga 11 shkencëtarët amerikanë që kanë humbur jetën ose janë zhdukur në rrethana misterioze.
Njoftimi u bë nga drejtuesi i teknologjisë në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, Emil Michael, përmes një postimi në platformën X më 4 maj, ditë që njihet edhe si “National Star Wars Day”.
“Armët me energji të drejtuar janë një shtesë e jashtëzakonshme për arsenalin tonë”, shkruhej në postim, i cili shoqërohej me imazhe të një sistemi që lëshonte rreze lazer dhe një ushtari që mbante kokën nga dhimbjet.

Sipas mediave amerikane, të ashtuquajturat DEW (Directed Energy Weapons) përdorin rreze të fokusuara elektromagnetike ose grimca atomike dhe nënatomike për të neutralizuar objektiva si dronët, por edhe për të dëmtuar apo eliminuar kundërshtarët në fushën e betejës.
Me këtë deklaratë, Pentagoni duket se pranon publikisht ekzistencën e një teknologjie që për vite është konsideruar si pjesë e teorive konspirative apo filmave fantastiko-shkencorë.
Lidhja me shkencëtaren Amy Eskridge
Çështja mori përmasa më të mëdha pasi një nga personat që kishte folur publikisht për armë të tilla ishte Amy Eskridge, një shkencëtare 34-vjeçare e përfshirë në kërkime mbi teknologjinë antigravitet, UFO-t dhe jetën jashtëtokësore.
Eskridge, e cila sipas raportimeve humbi jetën në vitin 2022 nga një plagë me armë zjarri që autoritetet e cilësuan vetëvrasje, kishte pretenduar më herët se ishte sulmuar me një armë energjetike brenda shtëpisë së saj në Alabama.
Ish-oficeri britanik i inteligjencës Franc Milburn, i cili kishte hetuar rastin e saj, pretendon se shkencëtarja ishte objektiv i një “arme me energji të drejtuar” që i kishte shkaktuar djegie në trup përmes mikrovalëve. Ai publikoi edhe fotografi me plagë, djegie dhe dëmtime të lëkurës që sipas tij lidhen me sulmin.
Milburn ka deklaruar se Eskridge nuk kreu vetëvrasje, por u vra për shkak të kërkimeve të saj sensitive mbi çështje të sigurisë kombëtare dhe teknologji sekrete.
Pentagoni investon qindra miliona dollarë
Edhe pse pretendimet për sulme ndaj shkencëtares nuk janë konfirmuar zyrtarisht, ushtria amerikane prej vitesh po teston sisteme të ngjashme lazerike dhe armë energjetike.
Sipas dokumenteve të Kongresit amerikan, Pentagoni ka kërkuar rreth 789.7 milionë dollarë financim për programin DEW gjatë vitit fiskal 2025.
Një pjesë e madhe e kërkimeve zhvillohet në bashkëpunim me kompani private të teknologjisë ushtarake, përfshirë AeroVironment, që raportohet se ka kontribuar në zhvillimin e sistemit “Locust X3”, një armë lazerike e aftë të godasë objektiva me shpejtësinë e dritës dhe të neutralizojë dronët.
11 shkencëtarë të zhdukur ose të vdekur
Amy Eskridge përmendet si një nga 11 shkencëtarët dhe studiuesit amerikanë që kanë humbur jetën ose janë zhdukur në rrethana misterioze pas përfshirjes në kërkime mbi fenomene ajrore të paidentifikuara (UAP), teknologji të avancuara dhe çështje të sigurisë kombëtare.
Rasti ka marrë vëmendje edhe në politikën amerikane. Deputeti republikan Eric Burlison deklaroi se zyra e tij po hetonte prej kohësh disa nga këto zhdukje “tepër të dyshimta”, ndërsa pretendoi se disa prej shkencëtarëve kishin akses në informacione sekrete mbi programet ajrore dhe UFO-t.
Sipas tij, në çështje mund të jenë të përfshira edhe shtete të tjera si Kina, Rusia apo Irani.
Megjithatë, deri më tani nuk ka prova zyrtare që lidhin zhdukjet ose vdekjet e shkencëtarëve me programet e armëve energjetike, ndërsa shumë ekspertë vazhdojnë t’i konsiderojnë këto pretendime si teori të pakonfirmuara.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





