Transmetuar më 07-05-2026, 08:44

Një turist gjerman ka fituar një dëmshpërblim prej 986.70 eurosh, pasi gjatë pushimeve në ishullin grek të Kosit nuk arrinte të siguronte një shezlong në plazhin e hotelit ku po qëndronte.

Turisti kalonte rreth 20 minuta çdo mëngjes duke kërkuar një çadër të lirë në plazh. Madje, për të shmangur konkurrencën me pushuesit e tjerë, zgjohej edhe në orën 06:00 të mëngjesit.

Mediat gjermane bëjnë me dije se ai kishte paguar rreth 7.186 euro për paketën turistike të pushimeve në gusht të vitit 2024, ku ndodhej bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Hoteli ku familja po qëndronte kishte rregulla që ndalonin “rezervimin” e shezlongëve me peshqirë, por sipas turistit, në praktikë kjo nuk zbatohej. Kur familja dilte në plazh herët në mëngjes, të gjithë shezlongët rezultonin të zënë me peshqirë, madje edhe që në orën 06:00.

Turisti pretendoi se hoteli dhe operatori turistik refuzuan të ndërhynin për të zgjidhur problemin, duke bërë që ai dhe familja e tij të detyroheshin të shtriheshin në rërë gjatë pushimeve.

Pasi ankesat e tij u injoruan, ai iu drejtua gjykatës në Hanover të Gjermanisë, duke kërkuar kompensim financiar.

Gjykata vendosi në favor të turistit dhe urdhëroi operatorin turistik t’i kthente 986.70 euro, duke argumentuar se paketa turistike ishte “problematike”, pasi nuk ofronte kushtet dhe shërbimet që klienti kishte të drejtë të priste.

Sipas vendimit, operatorët turistikë duhet të sigurojnë një raport “të arsyeshëm” mes numrit të shezlongëve dhe numrit të pushuesve në hotel.

Ndërkohë, një sondazh i fundit në Gjermani tregoi se 2 në 3 persona janë kundër praktikës së “rezervimit” të shezlongëve me peshqirë, fenomen që vazhdon të shkaktojë debate në shumë destinacione turistike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit