

Pas një fillimviti rekord, tregu i automjeteve në Shqipëri ka shënuar ngadalësim gjatë muajit prill. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në vend u regjistruan 8,707 automjete, ose 2% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, për periudhën janar-prill, numri total i mjeteve të regjistruara për herë të parë arriti në rreth 30.8 mijë, duke shënuar një rritje prej 5.2% në raport me katërmujorin e parë të vitit të kaluar. Rritja u mbështet kryesisht nga performanca pozitive e tre muajve të parë të vitit, ku zgjerimi arriti në 8.4%.
Sipas aktorëve të tregut, frenimi i regjistrimeve gjatë prillit lidhet me tensionet në Lindjen e Mesme dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në transportin ndërkombëtar të automjeteve.
Në vitet e fundit, pjesa më e madhe e automjeteve të importuara në Shqipëri vijnë nga Koreja e Jugut dhe Kina. Vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit, nga këto dy shtete janë importuar rreth 13 mijë mjete, ose 42% e totalit. Prej tyre, 7,414 automjete kanë ardhur nga Koreja e Jugut dhe 5,632 nga Kina.
Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, transportuesit janë detyruar të shmangin kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit, duke përdorur itinerare alternative. Kjo ka rritur deri në 30% kostot e transportit, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të automjeteve, uljen e kërkesës dhe vonesat në mbërritjen e mjeteve në Shqipëri.
Ndikimi është reflektuar edhe te automjetet elektrike. Pas rekordit historik të marsit, kur u regjistruan 1,252 makina elektrike, në prill ky numër ra në 1,191. Megjithatë, interesi për automjetet elektrike mbetet i lartë, i nxitur edhe nga rritja e ndjeshme e çmimeve të karburanteve, me naftën që ka kaluar nivelin e 200 lekëve për litër.
Pavarësisht kësaj tendence, automjetet me naftë vijojnë të dominojnë tregun shqiptar. Gjatë periudhës janar-prill, ato përbënin 53% të regjistrimeve të reja, ose rreth 16.3 mijë mjete.
Në katër muajt e parë të vitit janë regjistruar rreth 4.1 mijë automjete plotësisht elektrike, që përfaqësojnë 13.5% të totalit të regjistrimeve. Dominimin në këtë segment e mban marka kineze BYD, me 2,830 automjete të regjistruara, e ndjekur nga Volkswagen me 221 mjete.
Në tregun shqiptar po fitojnë terren edhe marka të tjera kineze elektrike, si “Fang Cheng Bao”, me 100 regjistrime, dhe “Wuling”, me 96 automjete të regjistruara për herë të parë.
Ndërkohë, numri total i mjeteve që qarkullojnë në vend vijon të rritet. Deri në fund të muajit prill, në Shqipëri rezultonin afro 1.08 milionë mjete aktive, nga të cilat 80.7% ishin autovetura.
Marka “Mercedes-Benz” vazhdon të kryesojë tregun shqiptar me 17.9% të totalit të mjeteve në qarkullim, e ndjekur nga “Volkswagen” me 16.7%, “Ford” me 7.3%, “Daimler Chrysler” me 7.2%, “Audi” me 6.3%, “Toyota” me 4.2%, “Opel” me 3.5% dhe “Fiat” me 3.3%, citon Monitor.
Ndërkohë, marka kineze BYD po njeh rritje të shpejtë në tregun vendas. Deri në fund të prillit, në Shqipëri qarkullonin 5,524 automjete të kësaj marke, ose 0.5% e totalit të mjeteve në vend. Mbi gjysma e tyre janë regjistruar vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





