

Fituesi i Çmimi Nobel në Fizikë 2024 dhe një nga figurat më të njohura në zhvillimin e inteligjencës artificiale, Geoffrey Hinton, ka lëshuar një paralajmërim të fortë për të ardhmen e teknologjisë që ai vetë ndihmoi të krijohej.
I njohur si “kumbari i inteligjencës artificiale”, Hinton thekson se megjithëse AI pritet të sjellë përfitime të mëdha në fusha si shëndetësia, edukimi dhe produktiviteti, rreziqet afatgjata dhe ekzistenciale nuk duhen nënvlerësuar.
Sipas tij, shqetësimi kryesor është se sistemet e inteligjencës artificiale mund të tejkalojnë shpejt inteligjencën njerëzore. Në një skenar të tillë, ai paralajmëron se nuk ka shumë shembuj historikë ku një sistem më pak inteligjent ka arritur të kontrollojë një më inteligjent.
Hinton ngre gjithashtu shqetësimin se AI mund të zhvillojë objektiva të vetat, përfshirë edhe “instinkte” si vetëruajtja ose përpjekja për të arritur qëllimet e saj në mënyrën më efikase, duke mos u përputhur domosdoshmërisht me interesat njerëzore.
Një tjetër pikë kritike, sipas tij, është mungesa e investimeve të mjaftueshme në kërkimin për “përshtatjen e AI me vlerat njerëzore” (alignment), veçanërisht në një kohë kur kompanitë teknologjike fokusohen kryesisht te fitimi dhe konkurrenca.
Ai ka shprehur gjithashtu shqetësim për presionet ndaj rregullimit të teknologjisë, duke paralajmëruar se zhvillimi i pakontrolluar në një fazë kaq të hershme mund të sjellë pasoja serioze.
Në aspektin ekonomik, Hinton parashikon ndryshime të thella në tregun e punës, duke theksuar se rritja e produktivitetit mund të mos shpërndahet në mënyrë të barabartë, por të përqendrohet tek një grup i vogël, ndërsa shumë profesione mund të humbasin rëndësinë e tyre.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





