

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile” në Gjakovë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit me inicialet M.K., V.M., D.R., Z.D., C.B., M.I., S.S. dhe S.K., dyshohet se gjatë periudhës 24–31 mars 1999, në bashkëkryerje dhe në koordinim me struktura policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, kanë marrë pjesë në një operacion të gjerë që përfshinte vrasje, dëbim të popullsisë civile, si dhe shkatërrim dhe plaçkitje të pronës.
Prokuroria bën të ditur se ekziston dyshim i bazuar mirë se gjatë këtij operacioni janë vrarë 65 civilë dhe janë zhdukur 12 të tjerë.
Në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, organi i akuzës i ka propozuar Gjykata Themelore në Prishtinë zhvillimin e gjykimit në mungesë, pasi të pandehurit rezultojnë të paarritshëm për institucionet e drejtësisë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thekson se mbetet e angazhuar në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve të krimeve të luftës, në përputhje me standardet ndërkombëtare, me synim vendosjen e drejtësisë për viktimat dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





