

E gjithë dëshmia dhe dialogu i peshëngritësit të ri për natën tragjike të vdekjes së Mirtos, vajzës me baba grek dhe nënë shqiptare që vdiq pa mbushur ende të nëntëmbëdhjetat
Vangjel Galiacatos, sportist i njohur i peshëngritjes, i cili akuzohet për përfshirje në çështjen e vdekjes së Myrtos në Kefaloni, paraqiti versionin e tij të ngjarjes para gjyqtares në sallën e gjyqit, duke pranuar se ishte ai që bëri sigurimin e sasisë së drogës, por duke mohuar se kishte qëllim të dëmtonte 19-vjeçaren.
Sipas dëshmisë së tij, të publikuar nga “Zougla” dhe përkthyer plotësisht nga noa.al, gjithçka nisi në orët e para të 14 prillit 2026, kur kushëriri i tij dhe i bashkëpandehuri, 23-vjeçari që identifikohet si grua trans me emrin “Olivia”, e telefonoi duke i kërkuar të gjente kokainë.
Galiacatos deklaroi se nuk është trafikant droge, por pranoi se bleu dy herë nga një gram të substancës nga një furnizues i panjohur – të cilin refuzoi ta identifikonte nga frika për familjen e tij – dhe e çoi drogën në vendin ku ndodheshin 23-vjeçari trans Olivia dhe Myrto.
Vangjeli foli dhe për rolin e shqiptarit, B., 22 vjeç që gjendej në dhomën ngjitur me atë ku ndodhi paravdekja e Mirtos.
Gjyqtarja: Si e njihnit Myrton?
Galiacatos: Nuk e njihja personalisht. Vetëm me fytyrë. Para asaj dite nuk i kisha folur kurrë.
Gjyqtarja: Si shkuat në apartamentin me qira?
Galiacatos: Më telefonoi kushëriri im, Stathatos.
Gjyqtarja: Në çfarë ore ju telefonoi?
Galiacatos: Rreth orës 02:15 ose 02:30, nëse më kujtohet saktë.
Gjyqtarja: Për çfarë arsye ju telefonoi në mes të natës?
Galiacatos: Më tha: “Kam ardhur në Kefaloni, jam këtu, nëse do hajde të rrimë bashkë dhe të shohim nëse mund të gjejmë diçka.”
Gjyqtarja: Çfarë do të thotë “diçka”?
Galiacatos: Kokainë.
Gjyqtarja: Pra ju telefonoi pikërisht që t’i siguronit kokainë? Pse të takohej me ju në mes të natës pas kaq kohe?
Galiacatos: Po ju them vetëm çfarë më tha në telefon.
Gjyqtarja: Çfarë ratë dakord më pas?
Galiacatos: I thashë se nuk merrem me këto gjëra, nuk kam. Por mund të bëj disa telefonata.
Gjyqtarja: Kur thoni “nuk merrem”, ndërkohë në deklarimin tuaj thoni se jeni përdorues kokaine.
Galiacatos: Nuk jam shitës, por mund të telefonoj dikë.
Gjyqtarja: Pse mendoi t’ju kërkonte ju kokainë?
Galiacatos: Kishim përdorur bashkë më parë.
Gjyqtarja: Pra në fund ju e gjetët?
Galiacatos: Po.
Gjyqtarja: Nga kush?
Galiacatos: Nuk mund ta them. Kam frikë për familjen time.
Gjyqtarja: Pra telefonuat dikë, e morët drogën dhe shkuat në hotel?
Galiacatos: Po.
Gjyqtarja: Sa kushtoi sasia?
Galiacatos: 80 euro, nëse kujtohem mirë.
Gjyqtarja: Sa ishte sasia?
Galiacatos: Një gram.
Gjyqtarja: Në çfarë ore shkuat në hotel?
Galiacatos: Nga ora 02:30 deri në 03:00. Nuk e mbaj mend saktë.
Gjyqtarja: Pse u larguat dhe u kthyet sërish pas gjysmë ore?
Galiacatos: Sepse më kërkuan edhe një gram tjetër.
Gjyqtarja: Çfarë ndodhi gjatë gjysmë ore që qëndruat në apartament?
Galiacatos: Pimë alkool dhe përdorëm drogë të tre. Pastaj vajza dhe O. këmbëngulën të gjeja edhe më shumë.
“Ajo e piu të gjithën vetëm”
I akuzuari përshkroi momentin kur situata doli jashtë kontrollit:
“Vajza po zihej me dikë në telefon. Gramin e dytë e konsumoi e gjitha vetë me një vizë të vetme. I thashë të mos e bënte.”
Pak minuta më vonë, Myrto nisi të kishte spazma.
“Mendova se ishte krizë epileptike. Për shkak të sportit dija disa gjëra. U ula mbi të dhe me gjithë forcën futa dorën në gojën e saj që të mos i kthehej gjuha”, deklaroi ai, duke treguar edhe një plagë nga kafshimi në gisht si provë se kishte tentuar ta ndihmonte.
Pavarësisht gjendjes kritike, të tre të akuzuarit nuk thirrën menjëherë ambulancën në dhomë. Në vend të kësaj, peshëngritësi pranoi se mori vajzën pa ndjenja në krahë dhe e çoi në trotuar.
Kur mbërriti ambulanca, sjellja e tyre ishte mashtruese.
“I thamë se e gjetëm aty jashtë. Kisha frikë të thosha se ishte me ne”, pranoi ai para gjyqtares hetuese.
Më pas ai u kthye në dhomë për të marrë sendet e tij personale, ndërsa pretendoi se nuk dinte çfarë ndodhi me telefonin e vajzës, të cilin kushëriri i tij dyshohet se e braktisi më vonë në një bar-kafe.
Në fund të dëshmisë së tij, Vangjeli kërkoi të merrej parasysh fakti që kishte telefonuar ambulancën, duke këmbëngulur se deri në momentin e fundit besonte se vajza do të mbijetonte, pasi “merrte frymë normalisht” kur ua dorëzoi ekipit të shpëtimit.
“E mora vesh në mëngjes nga mediat që kishte vdekur. Nuk e besoja”
Galiacatos: Vajza po zihej me dikë në telefon. Gramin e dytë e konsumoi të gjithën vetë në një vijë. I thashë të mos e bënte.
Gjyqtarja: Në çfarë ore ndodhi kjo?
Galiacatos: Nuk mund ta kujtoj.
Gjyqtarja: Çfarë ndodhi më pas dhe pas sa kohe?
Galiacatos: Pas 10-15 minutash vajza u ul në krevat – nuk kuptova çfarë po ndodhte me kushëririn tim – më pas u shtri dhe nisi të kishte spazma. Mendova se ishte krizë epileptike. Në fillim u trondita. Për shkak të sportit dija për epilepsinë, u përkula mbi të dhe me gjithë forcën futa dorën në gojën e saj që të mos i kthehej gjuha dhe të mbeteshin të hapura rrugët e frymëmarrjes. Vrapova në dhomën ngjitur ku ishte shoku im, trokita në derë, erdhi në dhomë dhe më ndihmoi t’i ngrinim këmbët lart. Futja përsëri gishtat në gojën e saj sepse nofulla i ishte bllokuar dhe po përpiqesha të mos e gëlltiste gjuhën.
Gjyqtarja: Si e dinit që B. ishte në dhomën ngjitur?
Galiacatos: Në një moment më telefonoi dhe më tha se kishte dëgjuar zërin tim duke kaluar në korridor. Më pyeti çfarë po bëja aty. Nuk mbaj mend nëse ishte hera e parë apo e dytë që shkova në hotel. I thashë: “Jam me një vajzë dhe kushëririn tim.” Ai më tha se ishte në dhomën ngjitur me të dashurën e tij. I thashë “po rrimë këtu” dhe ai u kthye në dhomën e tij.
Gjyqtarja: Çfarë bëri kushëriri juaj kur Myrto nisi spazmat?
Galiacatos: Kishte mbetur i ngrirë. Ishte në shok.
Gjyqtarja: Trokitët në derën e B. dhe çfarë ndodhi më pas?
Galiacatos: Trokitja ishte që të vinte të ndihmonte. U përkula përsëri mbi vajzën duke u përpjekur t’i hapja nofullën, siç ju thashë edhe më parë.
Gjyqtarja: Sa kohë kaloi nga momenti që filluan spazmat deri sa thirrët ambulancën?
Galiacatos: Maksimumi pesë deri në shtatë minuta. O. kishte frikë të fliste. I thashë të telefononte ambulancën. Ia mora telefonin nga duart dhe u thashë: “Ejani shpejt te …, një vajzë ka pësuar krizë epileptike, ka humbur ndjenjat, nuk është mirë.” Në atë moment i thashë B.: “Merr xhaketën e vajzës, hape derën.” E mora në krahë, zbrita me vrap poshtë dhe e vendosa në trotuarin përballë, e mbulova me xhaketë, ia mbaja gojën hapur që të mos i bllokohej frymëmarrja dhe prita me B. derisa erdhi ambulanca.
Gjyqtarja: Në çfarë gjendjeje ishte Myrto kur e transportuat?
Galiacatos: Merrte frymë normalisht, kishte puls, nuk ishte plotësisht e vetëdijshme, nxirrte tinguj sikur po përpiqej të fliste. Mjekët zbritën barelën në trotuar, e mora në krahë dhe e vendosa mbi të.
Gjyqtarja: Çfarë u thatë mjekëve?
Galiacatos: Se e gjetëm aty jashtë. Kisha frikë të thosha se ishte me ne.
Gjyqtarja: Pse më pas tentuat të pastronit apartamentin?
Galiacatos: Nuk e kam pastruar kurrë apartamentin.
Gjyqtarja: Pse u kthyet?
Galiacatos: Për të njoftuar O.-në çfarë kishte ndodhur me ambulancën dhe për të parë nëse kisha harruar ndonjë send timin në dhomë.
Gjyqtarja: A u morët vesh për telefonin e saj?
Galiacatos: I thashë që, meqë ai e njihte, të kontaktonte ndonjë të afërm të saj ose vetë atë për t’ia kthyer telefonin.
“Nuk e preka kurrë”
Më pas, gjyqtarja e pyeti nëse e njihte burrin me të cilin Myrto po debatonte në telefon atë natë. Peshëngritësi u përgjigj negativisht, ndërsa mohoi gjithashtu se kishte pasur marrëdhënie intime me 19-vjeçaren – pretendim që ishte përmendur më herët nga kushëriri i tij gjatë dëshmisë.
Gjyqtarja: A e dini se atë natë Myrto komunikonte me Y., ndërsa kushëriri juaj po ashtu fliste me Y.?
Galiacatos: Jo. Por mbaj mend që Myrto po fliste në telefon herën e dytë që shkova në apartament, siç ju thashë më sipër, dhe i thoshte: “Ik pirdhu, do të të marr më vonë, mos më çaj kokën tani.” Nuk e dija nëse po fliste me burrë apo grua.
Gjyqtarja: A kryet marrëdhënie seksuale atë natë me të?
Galiacatos: Jo. Nuk e preka kurrë.
Gjyqtarja: Çfarë ndodhi më pas, pasi ajo u dërgua në spital?
Galiacatos: E mora vesh në mëngjes, nuk e besoja që kishte vdekur. E mësova nga mediat, nga faqet online. Më telefononin vazhdimisht. U takova me avokatin tim, sepse i tregova se një natë më parë kisha qenë me atë vajzë dhe menjëherë shkuam në polici.
Gjyqtarja: A mësuat çfarë ndodhi me telefonin e saj? Ju informoi O.?
Galiacatos: Mora vesh prej tij, para se të mësoja për vdekjen e saj, se e kishte lënë në një kafene.
Gjyqtarja: Folët me dy personat e tjerë para se të kontaktonit avokatin?
Galiacatos: I telefonova dhe u thashë: “Vajza ka vdekur.” Menduan se po bëja shaka. Ende nuk ishin zgjuar. Unë nuk fjeta gjithë natën dhe në mëngjes më vinin mesazhe nga kudo.
Gjyqtarja: Pse nuk fjetët?
Galiacatos: Një vajzë kishte pësuar krizë, dridhej. U trondita. Nuk ishte e lehtë të shkoje të flije pas kësaj.
Gjyqtarja: I thatë të mos konsumonte vetëm ajo përnjëherësh një gram kokainë. Nuk menduat se gjendja mund të vinte nga droga?
Galiacatos: Në atë moment më shkoi në mendje, por duke parë dridhjet dhe humbjen e ndjenjave mendova se kishte pësuar krizë epileptike.
Gjyqtarja: Keni ndonjë kërkesë për mbrojtjen tuaj?
Galiacatos: Siç e kam përmendur edhe në deklarimin tim me shkrim, së pari kërkoj të merret regjistrimi i telefonatës sime me ambulancën e Patrës dhe së dyti të urdhërohet ekzaminimi im nga mjeku ligjor, në mënyrë që të vërtetohet se në gishtin tregues të dorës së djathtë kam një plagë nga kafshimi i viktimës, gjatë përpjekjes sime për t’i mbajtur të hapura rrugët e frymëmarrjes. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





