

Vendimi përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është shtyrë dhe pritet të shpallet më 20 korrik 2026 në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Të pandehur në këtë proces janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po gjykohen për akuza që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Konfirmimi për shtyrjen e shpalljes së vendimit është bërë nga avokati i Thaçit, Luka Mishetić, i cili e cilësoi të saktë informacionin e raportuar në media.
Fillimisht, vendimi ishte parashikuar të shpallej më 19 maj, por sipas rregullores së gjykatës, trupi gjykues ka në dispozicion deri në 90 ditë për të marrë një vendim, me mundësi shtyrjeje edhe për 60 ditë të tjera në raste të veçanta.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur në prill 2023, ndërsa në shkurt të këtij viti ata dhanë deklarimet e tyre përfundimtare para trupit gjykues.
Gjatë seancave, të akuzuarit kanë theksuar pafajësinë e tyre, duke e cilësuar luftën e UÇK-së si të drejtë dhe të lidhur me përpjekjet për liri dhe pavarësi. Nga ana tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar akuzat e ngritura nga prokuroria, duke i konsideruar ato të pabazuara në prova dhe fakte.
Shtyrja e vendimit vjen në një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, ndërsa pritet me interes të lartë si në Kosovë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





