Transmetuar më 05-05-2026, 19:42

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se është arritur dakordim për një garë të përbashkët me ish-presidenten Vjosa Osmani në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

Vendimi, sipas tij, është marrë pas votimit brenda strukturave partiake, ndërsa të shtunën pritet të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së për formalizimin e këtij procesi.

“U dakorduam të formalizojmë me Vjosa Osmanin garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Abdixhiku pas takimit me kryetarët e degëve të partisë.

Ai sqaroi se bashkëpunimi do të zhvillohet në kuadër të një liste të përbashkët brenda LDK-së, pa përfshirjen e partive të tjera në këtë fazë, duke lënë të hapur mundësinë për koalicione më të vogla.

Sipas Abdixhikut, marrëveshja bazohet në mirëbesim dhe jo në kushte të ndërsjella.

“Asnjë kusht nuk kemi pasur. Është një raport i ndërtuar mbi nevojën për bashkim”, tha ai.

I pyetur për mundësinë që Osmani të jetë bartëse e listës, ai u shpreh se nuk ka kundërshtim, duke e cilësuar atë si kandidate të përshtatshme edhe për postin e presidentes.

Nga ana tjetër, Osmani nuk konfirmoi nëse do të jetë pjesë e garës zgjedhore apo për cilën pozitë, duke theksuar se nuk ka kërkuar asnjë funksion. “Nuk është mirë të spekulohet. Kur të kemi diçka për të thënë, do t’jua komunikojmë”, deklaroi ajo.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit