

Në një traditë që vazhdon për disa vjet, pelegrinazhi në Teqenë e Shenjtë Bektashiane të Turballi Sulltanit, në Larisa të Greqisë, mblodhi besimtarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Hungaria, Turqia dhe vetë Greqia. Pavarësisht kushteve të pafavorshme të motit, besimtarët vazhduan ritualet dhe lutjet në këtë vend të shenjtë.
Ceremonia nisi me respektimin e himneve kombëtare të Greqisë, Shqipërisë dhe himnit Botëror Bektashian. Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e Teqesë së Turballi Sulltanit si një urë lidhëse mes besimeve dhe popujve të ndryshëm.
Kryegjyshi Botëror vlerësoi kontributin e shqiptarëve në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shprehu besimin se me mirkuptim, bashkëpunim dhe përdorimin e rrugëve ligjore, Teqeja do të mund të afirmohet plotësisht si pjesë e trashëgimisë së Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Në përfundim të ceremonisë, besimtarët bashkë me udhëheqësin e tyre shpallën lutje për paqe, dashuri dhe vëllazëri, duke dërguar një mesazh shprese dhe uniteti për shoqërinë e sotme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





