

Në rrjete sociale në Kosovë po qarkullojnë shpesh postime dhe këshilla nga gra që kërkojnë mënyra për të ndikuar në gjininë e fëmijës së ardhshëm, duke u mbështetur në metoda popullore dhe të pakonfirmuara shkencërisht.
Në disa grupe online, përdorueset ndajnë “këshilla” të ndryshme që variojnë nga dieta të caktuara, përdorimi i sodës së bukës, pozicionet gjatë marrëdhënieve, e deri te llogaritja e ovulacionit apo “kalendari kinez”. Megjithatë, specialistët e shëndetit riprodhues theksojnë se këto praktika nuk kanë bazë shkencore.
Gjinekologia Merita Demiri Demolli deklaron se përcaktimi natyral i gjinisë nuk është i mundur dhe se metodat që qarkullojnë në internet janë të pabazuara.
“Metodat si dieta, pozicionet gjatë marrëdhënieve apo planifikimi sipas ovulacionit nuk kanë bazë të provuar shkencore”, shpjegon ajo.
Sipas saj, mënyra e vetme mjekësore për të ndikuar në gjini është përmes fertilizimit të asistuar (IVF), i cili lejohet vetëm në raste specifike mjekësore dhe jo për preferenca personale.
Në disa raste, gratë kërkojnë edhe ndihmë nga mjekë të caktuar gjinekologë, duke u bazuar në rrëfime apo perceptime personale për “sukses në lindjen e djemve”. Një nga mjekët e përmendur në këto diskutime nuk ka qenë i qasshëm për koment.
Në aspektin ligjor, Kodi Penal i Kosovës nuk parashikon ndëshkime specifike për praktikat popullore të supozuara për përcaktimin e gjinisë, ndërsa Ligji për Shëndetësi nuk i trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë këto metoda.
Megjithatë, legjislacioni në fuqi ndalon qartë seleksionimin gjinor gjatë procedurave të IVF-së, përveç rasteve kur ekzistojnë arsye të lidhura me sëmundje trashëgimore.
Aktivistët për të drejtat e grave e konsiderojnë këtë fenomen shqetësues dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri. Sipas Besarta Breznicës nga Rrjeti i Grave të Kosovës, këto praktika ushqejnë pritshmëri të dëmshme gjinore dhe mund të ndikojnë negativisht në dinjitetin e vajzave në familje.
“Historikisht, në Kosovë djali është parë si trashëgimtar dhe vazhdues i familjes, ndërsa vajzat shpesh janë konsideruar dytësore”, thotë ajo.
Sipas saj, kjo mendësi reflektohet edhe në trashëgiminë pronësore, ku pjesa më e madhe e pronave regjistrohet në emër të burrave.
Edhe profesionistët e shëndetit paralajmërojnë për pasoja emocionale dhe psikologjike tek gratë që përballen me presion për të lindur një gjini të caktuar.
“Ky presion mund të çojë në vendime të nxituara dhe pasoja afatgjata për shëndetin fizik dhe psikologjik”, thekson Demiri Demolli.
Sipas një raporti të UNFPA-së të vitit 2016, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në Kosovë ka shprehur bindjen se familjet “duhet të kenë patjetër një djalë”, duke reflektuar një fenomen të rrënjosur në struktura tradicionale shoqërore.
Ekspertët theksojnë se përkundër miteve dhe praktikave popullore, gjinia e fëmijës është proces biologjik i përcaktuar natyrshëm dhe çdo ndërhyrje e pakontrolluar mund të ketë pasoja të rrezikshme për shëndetin.
Mesazhi i profesionistëve mbetet i qartë: prioritet duhet të jetë shëndeti i nënës dhe fëmijës, jo gjinia e tyre. Burimi: REL
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





