Transmetuar më 02-05-2026, 11:21

Linja ajrore amerikane me kosto të ulët Spirit Airlines ka nisur ndërprerjen e operacioneve, duke pezulluar menjëherë të gjitha fluturimet dhe shërbimet për pasagjerët, në një zhvillim që pritet të ndikojë ndjeshëm në tregun ajror.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar nga kompania, bëhet e ditur se procesi i falimentimit po shoqërohet me mbylljen e organizuar të aktivitetit, ndërsa të gjitha fluturimet janë anuluar me efekt të menjëhershëm.

Pasagjerëve u është kërkuar të mos paraqiten në aeroporte dhe të sigurojnë alternativa udhëtimi përmes kompanive të tjera ajrore.

“Jemi krenarë për ndikimin që modeli ynë ultra low-cost pati në industrinë ajrore për më shumë se tre dekada”, thuhet në reagimin e kompanisë, e cila shprehu keqardhje për ndërprerjen e aktivitetit.

Sipas mediave amerikane, vështirësitë financiare të kompanisë janë thelluar nga rritja e kostove të karburantit dhe dështimi i negociatave për një paketë shpëtimi financiar. Raportohet se bisedimet me administratën e Donald Trump dhe kreditorët kryesorë nuk arritën një marrëveshje përfundimtare.

Një nga çështjet kryesore të diskutimit ka qenë struktura e paketës së shpëtimit, e cila, sipas raportimeve, do t’i jepte qeverisë amerikane një nivel të konsiderueshëm kontrolli mbi aksionet e kompanisë.

Mbyllja e Spirit Airlines pritet të ketë pasoja të gjera në tregun ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë rritjen e mundshme të çmimeve të biletave dhe ndërprerjen e mijëra fluturimeve.

Ndërkohë, rreth 17 mijë punonjës të kompanisë rrezikojnë të humbasin vendet e tyre të punës si pasojë e ndërprerjes së operacioneve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit