Transmetuar më 01-05-2026, 11:10

TIRANË / PRISHTINË – Që nga kjo e premte, 1 maj, Shqipëria dhe Kosova kanë rikthyer regjimin e lëvizjes pa kontrolle kufitare për automjetet me targa të të dy vendeve.

Masa e përkohshme do të jetë në fuqi deri më 30 shtator dhe synon të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve gjatë sezonit veror, kur fluksi i udhëtimeve mes dy vendeve rritet ndjeshëm.

Sipas marrëveshjes së zbatuar në pikën kufitare Morinë–Vërmicë, automjetet me targa shqiptare dhe kosovare do të kalojnë pa ndalesa dhe pa procedura standarde kontrolli. Ndërkohë, mjetet me targa të huaja do t’i nënshtrohen vetëm kontrolleve të shpejta, për të shmangur vonesat dhe radhët në kufi.

Lehtësimi i lëvizjes rikthehet pas një ndërprerjeje dy mujore, gjatë së cilës u zbatuan kontrolle të plota kufitare. Edhe gjatë asaj periudhe, në fundjavë dhe festa zyrtare, vijoi një regjim i thjeshtuar për qytetarët e të dy vendeve.

Ky bashkëpunim mes Shqipëria dhe Kosova është aplikuar në mënyrë periodike vitet e fundit, duke ndikuar në rritjen e turizmit, lehtësimin e vizitave familjare dhe forcimin e shkëmbimeve tregtare.

Sipas të dhënave të para zyrtare, vetëm në orët e para të ditës së sotme kanë hyrë në Shqipëri rreth 20 mijë qytetarë, kryesisht nga Kosova, duke sinjalizuar një rritje të menjëhershme të lëvizjes ndërkufitare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit