Transmetuar më 28-04-2026, 22:49

Në Kuvendin e Kosovës pritet të mbahet në orën 23:00 tentativa e fundit për zgjedhjen e presidentit, në një proces që mbetet i pasigurt për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike. Nëse nuk arrihet marrëveshja, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk ka kundërshtime për asnjë kandidat të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), por ka theksuar se kjo parti duhet të sigurojë fillimisht 15 nënshkrime për kandidatin e saj.

“Vetëm le të na i sjellin 15 nënshkrime. Ne i plotësojmë nënshkrimet që mungojnë”, është shprehur Kurti, duke shtuar se nuk garanton vota nga grupi i tij parlamentar, pasi votimi është i fshehtë.

Sipas rregullores, për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa çdo deputet mund të mbështesë vetëm një kandidat.

Kurti u ka bërë thirrje partive opozitare të marrin pjesë në votim para përfundimit të afatit, duke lënë të hapur mundësinë e kompromisit në minutat e fundit.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, i ka cilësuar përpjekjet aktuale si “show politik” të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se procesi nuk po zhvillohet në mënyrë demokratike dhe e ka quajtur atë manipulim politik.

Procesi i zgjedhjes së presidentit mbetet i hapur deri në votimin e fundit, ndërsa mungesa e marrëveshjes mes partive rrit pasigurinë për zhvillimet e mëtejshme institucionale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit