

Marco Bocci: “Në moshën 47-vjeçare familja vjen para punës. Martesat që zgjasin më shumë janë ato ku bashkëshortët shihen më pak dhe nuk i tregojnë gjithçka njëri-tjetrit”
Aktori italian Marco Bocci ishte i ftuar në edicionin e tretë të On Air Festival në Palermo, ku foli për karrierën, jetën personale dhe marrëdhënien me bashkëshorten e tij, Laura Chiatti.
Bocci u rikthye në Palermo, një qytet që e njeh mirë nga koha e serialit “Squadra Antimafia”, dhe tregoi se nuk e kishte imagjinuar kurrë suksesin që do të kishte projekti dhe personazhi i tij, Domenico Calcaterra. Ai pranoi se largimi nga seriali ishte një vendim i vështirë.
“Nuk e prisja që ‘Squadra Antimafia’ të bëhej një sukses i tillë, as që personazhi im të bëhej kaq i rëndësishëm. Largimi më dhembi shumë, por ishte një zgjedhje e ndershme për të respektuar publikun dhe personazhin. E kuptova që nuk kishte më çfarë të tregonte dhe nuk doja që njerëzit të lodheshin prej tij”, u shpreh ai.
Duke folur për marrëdhënien me kolegen Giulia Michelini, Bocci sqaroi se mes tyre ka pasur vetëm miqësi të fortë. “Ajo më shkroi para emisionit për të më paralajmëruar. Mes nesh ka lindur një lidhje si vëlla e motër. Kemi përjetuar bashkë një sukses që nuk e prisnim dhe kjo na ka lidhur fort”, tha ai.

Marco Bocci me gruan Laura Chiatti. Foto: Ansa
Në jetën personale, Bocci thekson se familja është prioriteti i tij kryesor. “Për shkak të punës udhëtoj shpesh, por përpiqem të organizohem sipas familjes. Me kalimin e kohës prioritetet ndryshojnë. Dikur i jepja 100% punës, tani asgjë nuk më plotëson më shumë sesa koha me fëmijët dhe bashkëshorten time”, u shpreh ai.
Ai tregoi edhe për periudhën e adoleshencës, ku ndjehej në hije të të tjerëve. “Kisha miq më të fortë në karakter dhe shpesh ndihesha në hijen e tyre. Me kalimin e kohës gjeta rrugën time, jo për t’u dukur, por për të dalë nga ajo hije”, tha aktori.
Duke iu afruar moshës 50 vjeç, Bocci thotë se ndihet më i sigurt. “Kam më shumë qartësi dhe ende kam entuziazmin e një fëmije. Nuk kam frikë nga mosha”, u shpreh ai.
Ai foli edhe për përvojën e parë të punës me bashkëshorten në miniserinë “Se fossi te”. “Në fillim ishte qesharake, por më pas u bë shumë e vështirë. Madje morëm dy hotele të ndryshme. Ishte e komplikuar, por në fund ia vlejti”, tregoi ai.
Për martesën, Bocci ka një qasje të drejtpërdrejtë: “Nuk është e nevojshme të ndash gjithçka me partnerin. Mendoj se martesat që zgjasin më shumë janë ato ku bashkëshortët nuk qëndrojnë gjithë kohën bashkë dhe ruajnë hapësirat e tyre”.
Në fund, ai theksoi rëndësinë e mirësisë dhe edukatës. “Dua të sjell më shumë mirësi në të ardhmen. Besoj se kjo është revolucioni që na duhet sot, në një kohë kur flitet gjithnjë e më shumë për dhunë dhe konflikte”, përfundoi Bocci, i cili gjatë eventit u nderua me një çmim për ndikimin e tij te publiku. /përkthyer nga Vanity Fair Italia. Foto: Valentina Sabino
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





