

PRISHTINË, 27 Prill 2026 – Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca e jashtëzakonshme për diskutimin e procesit të zgjedhjes së presidentit, në mungesë të deputetëve të partive opozitare.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi se bojkotimi i opozitës po pengon një procedurë kushtetuese dhe mund ta shtyjë vendin drejt një krize të panevojshme institucionale.
Ajo theksoi se pas seancës së ndërprerë më 5 mars për mungesë kuorumi, çështja është adresuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila sipas saj ka sqaruar detyrimin e deputetëve për pjesëmarrje në seanca dhe votim.
“Përgjigja ishte e qartë, kjo çështje është vendosur njëherë. Nuk ka hapësirë për shmangie nga ky detyrim”, është shprehur Haxhiu, duke shtuar se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në proces, përveç rasteve me leje të posaçme.
Ajo theksoi se nuk synon ndryshimin e qëndrimeve politike të opozitës, por nënvizoi se qytetarët presin funksionim të plotë të institucioneve dhe pjesëmarrje në procesin e zgjedhjes së presidentit. Seanca pritet të vijojë pavarësisht mungesës së opozitës, ndërsa situata politike mbetet e tensionuar në Kuvendin e Kosovë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





