

26 prill 2026- Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se subjekti politik që ajo përfaqëson ka hequr dorë nga pretendimi për postin e Presidentit të Kosovës, duke u bërë thirrje partive opozitare që të paraqesin kandidatura konsensuale.
Nagavci theksoi se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë ftuar zyrtarisht të propozojnë emra me profil unifikues, jashtë skenës aktuale politike, të cilët gëzojnë integritet dhe kanë kontribut të dëshmuar në vend.
Megjithatë, ajo nënvizoi se, pavarësisht deklaratave publike nga këto parti, deri më tani nuk është dorëzuar asnjë propozim zyrtar në përgjigje të ofertës së Lëvizjes Vetëvendosje për një president konsensual.
Sipas saj, LVV mbetet në pritje të propozimeve konkrete edhe gjatë ditës së sotme, duke kërkuar angazhim nga të gjitha palët për tejkalimin e ngërçit institucional.
Nagavci shtoi se synimi kryesor i këtij procesi mbetet tejkalimi i krizës politike dhe garantimi i stabilitetit institucional në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





