

PRISHTINË, 25 prill 2026 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se është e gatshme të propozojë sërish Vjosa Osmani për postin e presidentes së Kosovës, nëse Lëvizja Vetëvendosje siguron 66 vota në Kuvend për zgjedhjen e saj.
Deklarata është bërë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një reagimi publik, ku i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti lidhur me negociatat për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Kur të vendosni nëse doni marrëveshje politike me LDK-në apo jo, atëherë flasim. Presidentin e propozojmë ne me përgjegjësi. Mund të propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na garantoni 66 vota për të”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se nëse Vetëvendosje kërkon marrëveshje me LDK-në, atëherë duhet të zhvillohet dialog i drejtpërdrejtë mes palëve, duke lënë të kuptohet se çdo zgjidhje duhet të jetë politike dhe e dakordësuar.
Reagimi i LDK-së vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar partive opozitare, LDK-së dhe Partia Demokratike e Kosovës, që të propozojnë tre emra konsensualë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, duke kërkuar kandidatë unifikues dhe jopartiakë.
Debati për zgjedhjen e presidentit po zhvillohet në një klimë politike të tensionuar, ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit po afrohet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





