

Narcistët: Ja si mund t’i dallosh që në fillim
Pamja është e njohur: një marrëdhënie nis me intensitet, tërheqje dhe ndjesinë se gjithçka është pothuajse ideale. Por me kalimin e kohës, diçka ndryshon. Siguria emocionale bie, ekuilibri prishet dhe marrëdhënia fillon të lodhë. Për vite me radhë, psikologjia është mbështetur në idenë se narcistët duken të mirë në fillim dhe më pas tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë.
Një studim i ri shkencor që citon noa.al, i publikuar në Journal of Personality, tregon se realiteti mund të jetë më pak “kinematografik” dhe më kompleks.
Sipas gjetjeve, marrëdhëniet me persona që kanë tipare të forta narciziste lidhen vërtet me kënaqësi më të ulët. Por jo domosdoshmërisht sepse “përkeqësohen” më shpejt me kalimin e kohës. Përkundrazi, pakënaqësia duket shpesh që në fillim, si një ndjesi e brendshme që të rëndon që në hapat e parë.
Jo të gjithë narcistët janë njësoj
Një nga pikat më të rëndësishme të studimit është se nuk e trajton narcizmin si një tipar të vetëm. Studiuesit dalluan dy anë të ndryshme të tij.
Studimi u bazua në të dhëna nga 5.869 çifte, të ndjekura për deri në gjashtë vite, në kuadër të programit kërkimor gjerman pairfam. Ata analizuan dy dimensione të narcizmit:
– narcizmi i admirimit (admiration), i lidhur me vetëprezantimin dhe vetëvlerësimin e lartë
– narcizmi i rivalitetit (rivalry), i lidhur me armiqësi, nënvlerësim të të tjerëve dhe nevojë të fortë për dominim
Pjesa e parë është ajo më “tërheqëse”. Është ajo që e bën një narcist të duket karizmatik, social, i sigurt në vetvete dhe shumë joshës në fazat e para të një lidhjeje. Ndërsa ana e dytë është ajo që ndikon më shumë në prishjen e ekuilibrit dhe lidhet me nivele më të ulëta kënaqësie në marrëdhënie.
Kjo nuk do të thotë që të gjitha marrëdhëniet janë të njëjta, apo që çdo person me tipare narciziste sillet njësoj. Personaliteti është kompleks, dhe marrëdhëniet njerëzore edhe më shumë. Megjithatë, ideja e përhapur se një lidhje me një narcist fillon si përrallë dhe më pas shkatërrohet në mënyrë të parashikueshme nuk mbështetet plotësisht nga të dhënat.
Vetë studiuesit japin disa shpjegime logjike.
E para është se marrëdhëniet me narcistë mund të mos përkeqësohen në mënyrë të qetë dhe lineare. Problemet mund të shfaqen në “shpërthime” – në konflikte, periudha presioni, faza kalimtare ose ngjarje që ndryshojnë dinamikën e çiftit. Një vlerësim vjetor nuk mund gjithmonë të kapë këto ndryshime të menjëhershme.
Shpjegimi i dytë është edhe më realist: marrëdhëniet që ngarkohen më shumë emocionalisht mund të përfundojnë shumë herët. Nëse një lidhje me modele të forta narciziste prishet brenda muajve të parë, është e mundur që ajo të mos reflektohet qartë në studime afatgjata.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





