

POGRADEC, 25 prill 2026 – Në prag të çeljes së sezonit turistik, në Pogradec ka nisur një aksion për pastrimin e vijës liqenore, me qëllim përmirësimin e imazhit dhe kushteve mjedisore në zonat bregliqenore.
Aksioni po zhvillohet në bashkëpunim mes Bashkisë Pogradec dhe institucioneve vendore, duke përfshirë Prefekturën, Forcat e Armatosura, ndërmarrjet e shërbimeve publike, administratën lokale dhe nxënës të shkollave të zonës.
Në nismë janë përfshirë gjithashtu edhe zonat turistike të fshatrave Lin dhe Tushemisht, të cilat mbeten ndër destinacionet më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj.
Prefektja e qarkut, Florina Zegullaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të shmangin hedhjen e mbetjeve në mënyrë të pakontrolluar, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së pastërtisë së zonës.
Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Arsimit në Korçë ka bërë të ditur se përfshirja e nxënësve në nisma të tilla do të vijojë edhe në të ardhmen, si pjesë e edukimit mjedisor.
Sipas të dhënave, fshatrat Lin dhe Tushemisht kanë një kapacitet akomodues prej rreth 1 mijë vendesh, ku mbi 80 për qind e strukturave rezultojnë tashmë të rezervuara për sezonin turistik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





