Transmetuar më 24-04-2026, 22:06

I dënuari me burgim të përjetshëm, Miklovan Parubi, është transferuar nga IEVP Peqin në IEVP Burrel, me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për arsye sigurie.

Sipas burimeve zyrtare, vendimi për transferimin është marrë pas informacioneve operative që sinjalizonin përgatitje të mundshme të një ngjarjeje kriminale brenda institucionit të vuajtjes së dënimit në Peqin.

Pas mbërritjes në burgun e Burrelit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit, në sendet personale të të dënuarit është konstatuar një sasi e dyshuar lënde narkotike, e fshehur në një çorape.

Menjëherë janë njoftuar strukturat përgjegjëse, përfshirë Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe Policinë e Shtetit, të cilat kanë marrë në dorëzim materialin për kryerjen e ekspertizave përkatëse.

Autoritetet vijojnë hetimet dhe ndjekjen e procedurave ligjore në fuqi. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka deklaruar se mbetet e angazhuar në forcimin e sigurisë dhe parandalimin e çdo forme paligjshmërie brenda institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

Parubi është dënuar me burgim të përjetshëm për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në tetor të vitit 2016 në zonën e Dajçit, Shkodër, ku humbën jetën dy persona në një atentat me armë zjarri në një lokal.

Njoftimi i "Burgjeve":

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se, bazuar në informacionet paraprake të marra në rrugë operative nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (ShKBB), me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Adriatik Kupi për arsye sigurie është kryer transferimi i të dënuarit me burgim të përjetshëm, me iniciale M.P., nga IEVP Peqin në IEVP Burrel.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit në IEVP Burrel, në materialet personale të të dënuarit është konstatuar, e fshehur në një çorape, një qese e vogël e dyshuar si lëndë narkotike.

Menjëherë janë njoftuar drejtuesit e institucionit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve si dhe Komisariati i Policisë Burrel, i cili ka marrë në dorëzim materialin për kryerjen e ekspertizës përkatëse.

Ngjarja po ndiqet sipas procedurave ligjore në fuqi. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar në një luftë pa kompromis ndaj çdo paligjshmërie brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

Ngjarja e rëndë e vrasjes së Arjet Saitit dhe Gacalin Kopshti ka ndodhur në 3 tetor 2016 ku rreth orës 22:40 në një bar-kafe të quajtur “Shqiponja” në fshatin Dajç të Shkodrës, janë dëgjuar disa breshëri kallashnikovi. Autori i krimit Miklovan Parubi,ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar pa asnjë paralajmërim me breshëri mes grupit të djemve që qëndronin në një tavolinë në lokal.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit