

Gjykata e Lartë në Londër ka vendosur të bllokojë për momentin ekstradimin drejt Shqipërisë të pesë personave të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Ardian Nikulajt, ngjarje e ndodhur në prill 2023 në Shëngjin.
Sipas vendimit të gjyqtarit Justice Swift, është pranuar kërkesa e mbrojtjes për mos ekstradimin e Thomas Mithan, Harriet Bridgeman, Harry Simpson, Steven Hunt dhe Edmond Haxhisë, i cili sipas Prokurorisë së Lezhës konsiderohet organizatori i krimit.
Gjykata ka vlerësuar si të bazuar argumentin se ish-sekretarja britanike e Shtetit për Punët e Brendshme, Yvette Cooper, ka firmosur një urdhër ekstradimi mbi baza akuzash që më pas kanë ndryshuar, nga “vrasje për gjakmarrje” në “vrasje me paramendim në bashkëpunim”. Për këtë arsye, urdhër-arrestet e shndërruara në urdhra ekstradimi janë konsideruar të pavlefshme.
Një tjetër element i marrë në konsideratë nga gjykata lidhet me garancitë e dhëna nga prokurorët e Lezhës se të kërkuarit nuk do të akuzohen për gjakmarrje. Sipas vendimit, këto garanci nuk kanë më fuqi, pasi prokurorët që i kanë dhënë nuk janë më pjesë e sistemit të drejtësisë shqiptare.
Ndërkohë, autoritetet britanike kanë bërë të ditur se, në emër të Republikës së Shqipërisë, është depozituar njoftimi për të kërkuar leje për apelim në Gjykatën Supreme, në bazë të legjislacionit për ekstradimin.
Katër nga të dyshuarit, Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Steven Hunt do të vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa Harriet Bridgeman është lënë në liri me kusht.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






