Transmetuar më 24-04-2026, 20:15

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar zyrtarisht ndaj akuzave të Partisë Demokratike lidhur me një mesazh të pretenduar të ministrit Ferit Hoxha, në të cilin ai dyshohet se ka përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Sipas pretendimeve të përfaqësuesve të opozitës, në një komunikim në aplikacionin “WhatsApp”, Hoxha është shprehur me fjalët: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”. Ky mesazh është cilësuar nga deputetët demokratë si skandaloz dhe i papranueshëm.

Në reagimin zyrtar, përmes zëdhënësit, Ministria e Jashtme i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të fabrikuara. Sipas saj, komunikimi i publikuar nuk ka asnjë lidhje me realitetin dhe nuk përfaqëson qëndrimet e institucionit apo të ministrit. “Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend”, thuhet në deklaratë, ku theksohet gjithashtu besimi në profesionalizmin dhe integritetin e shërbimit të jashtëm.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër, duke e konsideruar mesazhin si fyes dhe duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Hoxha.

Bardhi u shpreh se një gjuhë e tillë cenon dinjitetin e shqiptarëve dhe është e papajtueshme me detyrën e një zyrtari të lartë që përfaqëson vendin në arenën ndërkombëtare, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit për shkarkimin e ministrit.

Çështja ka nxitur debat politik, ndërsa institucionet përkatëse nuk kanë konfirmuar autenticitetin e mesazhit të publikuar.

Reagimi

Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend.

Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme.

Denoncimi i PD

Ishte fillimisht kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ai i cili ka reaguar ashpër ndaj një mesazhi në whatsapp që mendohet se i përket ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke e cilësuar atë si “skandaloze dhe fyese” ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në një komunikim në një grup whatsapp, pretendohet se Hoxha është shprehur me një fjali me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke thënë: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë?”

Mesazhi vjen në kontekstin e një diskutimi ku përmendet edhe një shkrim i gazetës “Nova Makedonija” lidhur me një deklaratë të kryeministrit Edi Rama.

"Dënoj me forcën më të madhe dhe pa asnjë ekuivok deklaratën skandaloze dhe fyese të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, drejtuar shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Është e papranueshme dhe e patolerueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve si “idiotë”. Një qëndrim i tillë e përjashton menjëherë nga çdo funksion publik dhe e bën të pamundur vijimin e ushtrimit të detyrës, qoftë edhe për një minutë më shumë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ministrin përgjegjës për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Kjo gjuhë e papërgjegjshme dhe denigruese jo vetëm që cenon rëndë dinjitetin e shqiptarëve, por krijon bindjen se kemi të bëjmë me një përfaqësues që flet në frymën e propagandës së huaj dhe jo në interes të Republikës së Shqipërisë. Kjo deklaratë është e denjë vetëm për Nikolla Pashiqin apo Vasa Çubrilloviç.

Një retorikë e tillë bie haptazi ndesh me nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ferit Hoxha duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Çdo vonesë është e pajustifikueshme. Kryeministri ka detyrimin politik dhe institucional ta shkarkojë pa asnjë hezitim dhe të distancohet publikisht dhe qartë nga kjo gjuhë fyese dhe e papranueshme, që të kujton retorika të errëta të së kaluarës kundër shqiptarëve.

Çdo minutë më shumë në detyrë është një fyerje për shqiptarët dhe një njollë për Republikën e Shqipërisë", tha Bardhi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit