

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin për sulmin e armatosur të ndodhur më 24 shtator 2023 në Banjskë, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gjykata dënoi me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vite burg. Në momentin e shpalljes së vendimit, në sallë ishte i pranishëm vetëm Maksimoviqi.
Rasti lidhet me sulmin e cilësuar nga autoritetet kosovare si akt terrorist, i cili sipas aktakuzës përfshin gjithsej 45 të pandehur, përfshirë edhe Milan Radoiçiç, i dyshuar si drejtues i grupit të armatosur.
Prokuroria ka deklaruar se grupi kishte planifikuar përdorimin e dhunës dhe armatimit të rëndë me qëllim shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin e tij me Serbinë. Gjatë sulmit, përveç viktimës, një polic tjetër u plagos, ndërsa u rrezikuan edhe qytetarë të pranishëm në zonë.
Gjykata vendosi që çështja për tre të dënuarit të trajtohej veçmas, ndërsa për 42 të akuzuarit e tjerë nuk u pranua kërkesa për gjykim në mungesë.
Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar ngjarjen si një nga sulmet më të rënda ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






