

Dy muaj pas vendimit të Apelit të Posaçëm që liroi ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit, SPAK ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë.
Me këtë veprim, Prokuroria e Posaçme kundërshton interpretimin e vendimit të marrë në shkurt 2026, duke kërkuar rishikimin e çështjes dhe rikthimin e Kokës në burg.
Në njoftimin publik të datës 17 prill bëhet e ditur se komunikimi i rekursit ndaj ish-ministrit ka qenë i pamundur përmes postës, pasi njoftimi është kthyer mbrapsht me shënimin “larguar”. Për këtë arsye, është proceduar me shpallje publike për vënien në dijeni.
Lefter Koka u arrestua në vitin 2021 në kuadër të hetimeve për inceneratorët, ku akuzohet për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion. Ai është dënuar me vendime që ende nuk kanë marrë formë të prerë, lidhur me dosjet e inceneratorëve të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






