

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar një udhëzim të ri që ndryshon ndjeshëm mënyrën e kualifikimit dhe rinovimit të certifikatave për shoferët profesionistë të kategorive C dhe D, në kuadër të përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian dhe rritjes së sigurisë rrugore.
Strukturë e re e trajnimit
Sipas udhëzimit, për kualifikimin fillestar, drejtuesit do të ndjekin 60 orë teori të shpërndara në të paktën 15 ditë, si dhe 10 orë praktikë në jo më pak se 5 ditë. Ndërkohë, për rinovimin e certifikatës, do të kërkohen 35 orë trajnim teorik.
“Kodi 95” dhe digjitalizimi
Një nga risitë kryesore është përfshirja e “Kodit 95” në lejen e drejtimit ose në certifikatën profesionale (CAP), i cili dëshmon përmbushjen e standardeve të Bashkimi Evropian për transportin e mallrave dhe pasagjerëve.
Fokus te teknologjia dhe drejtimi modern
Programi i ri përfshin njohuri mbi teknologjitë e avancuara, si tahografët inteligjentë (Smart Tachograph V2) dhe sistemet ADAS, që ndihmojnë drejtuesit në situata të ndryshme rrugore, përfshirë frenimin automatik dhe mbajtjen e korsisë.
Gjithashtu, një vëmendje e veçantë i kushtohet drejtimit ekologjik, me fokus në kursimin e karburantit dhe reduktimin e ndotjes.
Rritet kontrolli mbi autoshkollat
DPSHTRR do të ketë kompetenca të zgjeruara për monitorimin e autoshkollave, të cilat duhet të plotësojnë kritere të reja për të ofruar kurse CAP dhe do t’i nënshtrohen kontrolleve të rregullta.
Mosrespektimi i standardeve do të çojë në çregjistrim të menjëhershëm nga sistemi.
Shëndeti dhe aspekti psikologjik
Programi i ri i kushton rëndësi edhe shëndetit të drejtuesve, duke përfshirë trajnim mbi menaxhimin e stresit, ndikimin e alkoolit, ushqyerjen dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme gjatë transportit.
Rinovimi i certifikatës CAP tashmë kushtëzohet nga përfundimi i plotë i trajnimit periodik, ndërsa drejtuesit që disponojnë më shumë se një kategori mund ta kryejnë procesin e rinovimit në mënyrë të njëkohshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






