

Pamje shqetësuese nga një shkollë në fshatin Thanë, njësia administrative Fiershegan në Lushnjë, kanë rikthyer vëmendjen mbi kushtet në të cilat zhvillohet mësimi në disa zona rurale.
Video-denoncimi është bërë publik nga deputeti Saimir Korreshi, i cili ka evidentuar gjendjen e rënduar higjieno-sanitare dhe rreziqet për nxënësit.
Në pamjet e publikuara shfaqen ambiente sanitare jashtë standardeve, të dëmtuara dhe të papërshtatshme për përdorim, ndërsa raportohet edhe për praninë e gjarpërinjve në afërsi të tyre, duke rritur ndjeshëm shqetësimin për sigurinë e fëmijëve.
Gjendja e oborrit të shkollës, i mbushur me mbeturina, e përforcon më tej panoramën e një infrastrukture të amortizuar. Në reagimin e tij, Korreshi ka kritikuar gjendjen e arsimit në terren, duke e krahasuar atë me deklaratat zyrtare për përmirësime në këtë sektor.
Rasti ngre shqetësime serioze për kushtet në institucionet arsimore në zonat rurale dhe thekson nevojën për ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse për të garantuar sigurinë dhe dinjitetin e nxënësve.
Video-denoncimi i plotë:
Situata e banjove. Pa derë, pa penxhere. Kur thosha që kemi të bëjmë me qenefe, ju thonit, urdhëro se i keni. Kjo është sekuencë: qenef, banjo, ambient, gjarpërinj. Kjo është situata me të cilën përballen kalamajtë nëpër fshatra. Reforma e këtyre në arsim që na hoqën mendjen dhe që na i tregojnë. Urdhëro! Është ulëritëse, s’është ulëritëse?! Kur them që janë banjo pa… pa dyer, i heqin njerëzit, detyrohen, janë qenefe, hale. Hale, hale, e patë vet, hale. Urdhëro oborri i shkollës, na si e kemi, shiko. Shiko si ke plehrat me oborrin e shkollës. Ja dhe unë te kalamajtë. Shiko këtu mbrapa çfarë ke, domethënë çfarë tmerri. Faqe e zezë!
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






