

Ish-prokurori i Durrësit dhe aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, ka dëshmuar në GJKKO në lidhje me atentatin ndaj tij të ndodhur në nëntor 2019, ku humbi jetën Andi Maloku dhe mbetën të plagosur vetë Ndoja dhe Aleksandër Laho.
Në këtë proces gjyqësor po gjykohen Amar Shkëmbi dhe Bledar Polovina, të akuzuar për përfshirje në sulmin e ndodhur pranë mbikalimit të Shkozetit. Shkëmbi nuk ishte i pranishëm në seancë, duke zgjedhur të përfaqësohet nga mbrojtja ligjore.
Gjatë dëshmisë së tij, Ndoja deklaroi se në kohën e ngjarjes nuk kishte konflikte të drejtpërdrejta, përveç, sipas tij, sulmeve politike.
“Gjatë vitit 2019 kam qenë prokuror në Durrës. Përveç anatemimit nga figura politike, nuk kam pasur problematika të tjera,” – u shpreh ai.
Ai theksoi se nuk ka njohuri mbi autorët e atentatit dhe se nuk kishte marrë asnjë paralajmërim paraprak për sulmin.
Rrëfimi i atentatit
Duke përshkruar momentin e ngjarjes, Ndoja deklaroi se të shtënat nuk ishin të vazhdueshme, por të ndara në kohë.
“Krismat nuk kanë qenë me breshëri, por të ndara. Dyshohet se janë përdorur dy armë, për shkak të zhurmave të ndryshme dhe intervaleve të të shtënave,” – tha ai.
Sipas dëshmisë, sulmi zgjati rreth 20 sekonda, kohë gjatë së cilës automjeti doli nga rruga pas përplasjes me barrierat. Ai shtoi se Andi Maloku arriti të telefononte të atin përpara se të humbte ndjenjat.
Ndoja deklaroi se pas aksidentit humbi ndjenjat dhe nuk mban mend çfarë ndodhi më tej.
Dyshime për vëzhgim dhe mungesë informacioni
Në dëshminë e tij, ish-prokurori ngriti gjithashtu dyshime se mund të ketë qenë nën vëzhgim nga struktura shtetërore në atë periudhë, për shkak të procesit të vettingut.
Ai mohoi njohjen me të pandehurit dhe tha se emrin e Plaurent Dervishaj e njeh vetëm nga një procedim i mëparshëm.
“Përveç organeve të drejtësisë, askush nuk ka ardhur të na shpjegojë arsyet e kësaj ngjarjeje,” – u shpreh Ndoja.
Hetimet dhe akuzat
Sipas hetimeve të SPAK, atentati dyshohet të jetë organizuar nga një grup i strukturuar kriminal i lidhur me Plaurent Dervishaj, përmes komunikimeve të koduara në aplikacione si Sky ECC.
Motivi i ngjarjes dyshohet të lidhet me konflikte për interesa pronësie dhe ndikim në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza ndaj 11 personave për atentatin e 1 nëntorit 2019. Deri më tani, Arjol Halilaj është dënuar me 35 vite burg, ndërsa Redjan Rraja me burgim të përjetshëm. Të pandehurit e tjerë vijojnë të përballen me drejtësinë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






